Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët, në të cilën ka kërkuar që ata të tregohen vigjilentë ndaj mesazheve dhe email-eve mashtruese që përdorin emrin dhe identitetin vizual të bankave, Postës Shqiptare apo institucioneve të tjera.
Në njoftimin e tyre thuhet se këto mesazhe synojnë të vjedhin të dhënat personale dhe bankare të qytetarëve përmes mashtrimeve të njohura si “phishing”. Në mesazhet e dërguara ndaj qytetarëve thuhet se ai/ajo ka një pako që kërkon pagesë ose konfirmim të adresës, se llogaria bankare është bllokuar. Sipas kësaj ai duhet të veprojë menjëherë për të shmangur pezullimin e një shërbimi. Autoriteti u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në linqe të dyshimta dhe të mos ndajnë asnjëherë fjalëkalime, kode verifikimi (OTP), PIN-e apo të dhëna të kartave bankare.
“Një klikim i nxituar mund të mjaftojë për të komprometuar të dhënat tuaja. Qëndroni vigjilentë dhe verifikoni gjithmonë përpara se të veproni”, thekson AKSK në njoftimin e saj.
AKSK këshillon që çdo njoftim të verifikohet vetëm përmes faqeve dhe kanaleve zyrtare të bankës ose institucionit përkatës. Ajo bën thirrje që rastet e dyshimta të raportohen pranë autoriteteve kompetente dhe institucionit që po imitohet.
