Vijojnë përplasjes para godinës së kryeministrisë, teksa qytetarët po tentojnë të hyjnë brenda godinës. Në zonë kanë mbërritur dhe forcat “Shqiponja”, pasi brenda godinës ndodhet kryeministri Edi Rama. Makina e tij ishte duke pritur në një nga hyrjet kryesore dhe kjo ka bërë që protestuesit të kërkonin të hynin brenda për t’u ballafaquar me të.

Policia ka blinduar zonën përreth Kryeministrisë dhe ka vendosur kordonë e barriera për të penguar avancimin e protestuesve. Në këto momente, forcat e rendit nuk po lejojnë kalimin e protestuesve drejt godinës, ndërsa situata vijon të jetë e tensionuar. Raportohet po ashtu se kanë nisur edhe shoqërimet e para.

Protesta e sotme shënon ditën e 94-të të mobilizimit qytetar. Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa kërkohet gjithashtu ndryshimi i klasës politike dhe krijimi i një qeverie tranzitore. Tubimi ka hyrë në një fazë të re, me protestuesit që tashmë janë pozicionuar në dy pika rreth godinës së Kryeministrisë, ndërsa policia vijon të mbajë të rrethuar institucionin dhe të pengojë çdo tentativë për avancim.