Situata e zjarreve në zonën e Mallakastrës mbetet shqetësuese, ndërsa autoritetet në terren po vijojnë operacionin për izolimin e flakëve.
Sipas informacionit zyrtar, në zonën e Panahorit zjarri vazhdon me intensitet të lartë, duke u përhapur në drejtim të fshatrave Panahor dhe Çyçen, me tendencë për të avancuar edhe drejt fshatit Cfir.
Në fshatin Ngracan, zjarri vijon me intensitet më të ulët, por mbetet aktiv dhe po lëviz në drejtim të zonës së banuar.
Ndërkohë, në fshatin Riban, vatra e zjarrit është ende aktive në brendësi të pyllit me pisha, ndërsa flakët vazhdojnë të përhapen edhe drejt masivit pyjor të Ndrenies dhe Vloshtit.
Në operacionin për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 4 mjete zjarrfikëse, 25 efektivë të shërbimit zjarrfikës, 30 punonjës të forcave bashkiake, 50 trupa të Forcave të Armatosura.
Autoritetet theksojnë se terreni i vështirë, masivi i dendur pyjor, sipërfaqja e madhe e përfshirë nga flakët dhe rritja e rrezikut gjatë orëve të mesditës e bëjnë të domosdoshme mbështetjen nga ajri. Për këtë arsye është kërkuar ndërhyrja urgjente me të paktën dy helikopterë për të ndihmuar në përballimin e situatës dhe në kufizimin e përhapjes së zjarreve.

