Avokati Plarent Ndreca ka ngritur akuza për mënyrën se si po trajtohet kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë qëndrimit në institucionin e vuajtjes së dënimit në Fier. Pas një takimi me klientin e tij, Ndreca deklaroi se vijon të përballet me pengesa për sigurimin e dokumentacionit mjekësor, të cilin e konsideron të domosdoshëm për vlerësimin e gjendjes shëndetësore të Veliajt.
Sipas avokatit, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, ende nuk i janë vënë në dispozicion rezultatet e ekzaminimeve, përfshirë grafinë dhe rezonancën magnetike, për t’ua paraqitur mjekëve specialistë.
Ndreca e cilësoi situatën të papranueshme, duke pretenduar se mungesa e informacionit po pengon vlerësimin e pasojave të mundshme shëndetësore.
“Vazhdon saga e marrjes së dokumenteve mjekësore. Është një situatë absurde. Unë akoma nuk kam marrë një kopje të grafisë dhe të rezonancës për ta konsultuar me mjekë. Nuk i jap dot shpjegim faktit se si një institucion nuk i jep pacientit informacion mbi atë që kanë konstatuar mjekët”, u shpreh ai.
Avokati shkoi më tej, duke e përshkruar trajtimin e Veliajt si një formë “persekutimi shëndetësor”, ndërsa theksoi se pa dokumentacionin përkatës nuk mund të përcaktohet gjendja e tij reale.
Ai pretendoi gjithashtu se kryebashkiaku ndodhet në izolim të plotë dhe se i janë kufizuar kontaktet me persona të tjerë.
“Vazhdon të jetë në spital, i izoluar. Nuk takon askënd, nuk flet me askënd dhe nuk ka mundësi të komunikojë. Kur Veliaj del në ajrim, mbyllen qelitë e tjera, sikur të bëhej fjalë për një personazh të rrezikshëm”, deklaroi Ndreca.
