Nëse analizon Ekstraktin Historik të kompanisë, bie në sy fakti se në 23 maj 2025, Gerond Meçe i kalon 100 % të aksioneve nënës së tij të moshuar, Shegush Meçe.
Nëse i referohemi kontekstit kohor, kalimi ndodh saktësisht në kohën kur SPAK po hetonte tenderat e AKSHIT. Kalimi i aksioneve nga djali te nëna u bë përmes një kontrate dhurimi. Administratorë mbeten sërish Eriksela Shuli dhe Shkëlqim Kërluku. Këtu nuk ka asnjë ndalim ligjor, por lëvizja në një kontekst të caktuar kohor ngre mjaft pikëpyetje.
‘Po ndoshta marrin masat që, sido të vejë historia e tyre, ngjashme me homologun e tyre në biznes, shërbimi të jetë 24 në 7 e mos të mungojë. Gjithmonë mundohen të hapin kompani; kur kanë hetime penale apo evazion, ndërrojnë pronësinë me vlera qesharake, kur qarkullimi i kompanisë, kapitali, është me miliona euro, formë për humbje gjurmësh,’ u shpreh avokati, Bledar Meminaj.
Tani, le të kthehemi te rruga e parave. Në periudhën 2018-janar 2026, kompania ABS, përpos 40 milionë eurove hyrje nga AKSHI, në total ka arkëtuar nga institucionet shqiptare rreth 4,8 miliardë lekë ose rreth 50 milionë euro.
Këtu fjala është për paratë e derdhura nga thesari, pasi vlera e kontratave, referuar librave të shitjeve, është në total plot 71 milionë euro. Nga këto para, plot 50 milionë janë kontrata me AKSHI-n, ndërsa 21 milionë me institucionet e tjera.
Në vitet 2018-2025, nga kompania “B 360”, e zotëruar nga Armand Frangu, ABS e Gerond Meçes arkëton plot 4,8 milionë euro. Ndërkohë, në krahun e kundërt kanë shkuar vetëm 395 mijë euro.
Por, ku shkarkohen paratë e fituara nga Meçe? Në vitet 2020-2025, furnitori kryesor i kompanisë ABS rezulton subjekti “Artificial Intelligence Business Solutions” ose AIBS. Ky subjekt i dytë rezulton simotër e së parës dhe zotërohet 100 % nga Gerond Meçe. Nga paratë publike që ka arkëtuar me ABS, Gerond Meçe kalon plot 15,2 milionë euro te kompania tjetër e tij. Pra, një kompani IT që merr tendera nga AKSHI miliona euro, por paguan një tjetër kompani po në fushën e IT. Kjo nuk përbën domosdoshmërisht një paligjshmëri, por ngre pikëpyetje mbi motivet e transaksioneve. Pra, në librat e shitjeve të AIBS shkojnë paratë publike që Meçe siguron përmes subjektit ABS. Kompania e dytë e tij, thuajse 100 % të të ardhurave, i ka nga raporti me kompaninë kryesore.
Dyshimet shtohen edhe më tej mbi këto transaksione, nëse kemi parasysh se të paktën 8 persona, inxhinierë IT, programues etj., punojnë për të dyja kompanitë. Pra, kompania që vjel paratë publike nuk blen asnjë shërbim të ri te kompania simotër, që në këtë rast shërben si kanal faturimi dhe qarkullimi parash. Kjo përbën edhe një metodë tipike për të justifikuar dështimet e projekteve apo për të justifikuar volumin e punës me vlerën reale të tenderit.
‘Ato janë lëvizje të brendshme mes kompanive mes tyre, mund të jenë në formën e skemave, por, siç thashë, duhet parë në tërësi këto veprime, pasi është fushë e gjerë që mund të hetosh e më pas mund të thuash qëllimi ka qenë ky apo ai,’ u shpreh avokati, Bledar Meminaj.
Një tjetër kompani e lidhur fort me oligarkun e tenderave të AKSHIT, Gerond Meçe, rezulton edhe Albascan, subjekt i themeluar në vitin 2017. Fillimet e kësaj kompanie ishin me xhiro modeste. Por kthesa e madhe erdhi në vitin 2019, kur kompania u shit tek Elision dhe Elton Jorgjis. Aty nis bashkëpunimi në tendera me ABS-në e Gerond Meçes.
Albascan: “Albascan nuk ka pasur asnjë kontratë ku institucioni përfitues, pra përfituesi i shërbimeve, të ketë qenë drejtpërdrejt AKSHI. Shoqëria Albascan sh.p.k. ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha procedurat e prokurimit në formën e bashkimit të operatorëve ekonomikë, të përbërë nga dy deri në gjashtë operatorë ekonomikë. Në rastet kur Albascan sh.p.k. ka qenë lider i bashkimit, pavarësisht përqindjes së pjesëmarrjes, transaksionet bankare janë kryer nga AKSHI drejt liderit të bashkimit dhe më pas nga lideri drejt anëtarëve të tjerë të bashkimit të operatorëve ekonomikë.”
Deri në vitin 2025, AlbaScan ka kaluar në drejtim të ABS plot 11,1 milionë euro, ndërsa në kursin e kundërt kanë shkuar rreth 3,1 milionë euro. Pra, një rreth qarkullues i parave të tenderave mes partnerësh në biznes.
Kjo vihet re edhe në librat e blerjeve të kompanisë tjetër AIBS. Në ekran shihni listën me furnitorët kryesorë të këtij subjekti.
Në krye qëndron CONNECTAL. Edhe kjo nuk mund të ishte një rastësi. Kompania është themeluar në 22 dhjetor 2022 nga shtetasi Ermir Zaimi. Ky person rezulton i punësuar në kompaninë ABS të Gerond Meçes në vitet 2022, 2023, 2024 dhe 2025. Po ashtu, ai rezultonte i lidhur edhe me kompaninë tjetër partnere që cituam më sipër, Albascan. Pyetja që ngrihet natyrshëm është se pse kompania AIBS e zotëruar nga Meçe do të duhej t’i kalonte shuma të mëdha parash një subjekti që drejtohej nga një i punësuar i tij…?! Këtu mund të jemi para hartimit të faturave për qarkullim parash dhe humbje gjurmësh. Pagesat e AIBS janë bërë në 2 fatura në të njëjtën ditë, më 11 qershor 2025, me vlerë 821 mijë dhe 410 mijë euro. Interesant është fakti se këto pagesa përbëjnë mbi 99 % të blerjeve vjetore. Kjo qartëson motivet e krijimit të kompanive simotra.
Skema merr përmasa më të qarta nëse kemi parasysh se vetëm një ditë më pas, më 12 qershor, kompania AIBS i faturon subjektit ABS 1,5 milionë euro. Këtu qartësohet kanali i krijuar i parave mes kompanive të Gerond Meçes që marrin paratë nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit dhe i shpërndajnë në kompanitë e lidhura.
‘Këto janë metoda të vjetra të provuara, më shumë për shkak edhe të afërsisë me Italinë; përdoren prestanome, që kanë qenë dikur punonjës pa kualifikim në kompani të mëdha që kanë marrë koncesion dhe, për të shmangur vëmendjen, për të larguar vëmendjen nga organet ligjzbatuese për përfitimin e kontratave, hapin kompani në emër të të besuarve,’ u shpreh avokati, Alban Qafa.
‘Por ajo që vërtet duhet theksuar është pse qeveria shqiptare nuk ka tenderuar këto shërbime, që janë me vlerë të madhe, kompanive me emër si Siemens, BOSH, Microsoft, që janë brand botëror…,’ u shpreh avokati, Bledar Meminaj.
Bën përshtypje fakti se kompania CONNECTAL ka marrë edhe një pagesë nga subjekti ABS që siguronte miliona nga tenderat në AKSHI. Pagesa është kryer më 31 dhjetor 2022, 9 ditë pas krijimit të këtij subjekti të ri nga Zaimi. Kjo duket e çuditshme se çfarë shërbimi mund të jetë kryer me një vlerë plot 42 milionë lekë ose 435 mijë euro nga një subjekt i sapokrijuar, me zero eksperiencë në kontrata të mëdha…
Në analizën mbi librat e blerjes së kompanisë së Gerond Meçes ‘ABS’, mjaft interesante duket një faturim prej afro 160 mijë eurosh ndaj kompanisë ‘Alu Glass’. Nuk dihet se çfarë shërbimi ka ofruar një kompani e tillë që tregton xhama, dyer apo dritare, por pak më poshtë do të sqarojmë se si ky subjekt lidhet me një ish-drejtues të rëndësishëm të AKSHIT, aty ku janë firmosur dhjetëra milionë euro për Meçen. Të gjitha këto lëvizje në shuma të mëdha parash nuk përbëjnë në vetvete vepër penale. Por ato përbëjnë prova të mjaftueshme për alert të institucioneve ligjzbatuese mbi atë që fshihet pas këtyre transaksioneve brenda qarkut të mbyllur të kompanive të lidhura.
‘Po, është për t’u parë e hetuar, s’mund të them se është bërë enkas edhe kaq; duhet parë 360 gradë,’ u shpreh Bledar Meminaj, avokat.
Me të njëjtën logjikë, biznesmeni Gerond Meçe ka shtrirë aktivitetin në Prishtinë përmes ABS-Kosova. Kjo kompani kryen aktivitet në fushën e IT, konsulencë, instalime elektrike apo projekte telekomunikacioni. Rezulton si subjekt i regjistruar edhe në tendera publikë në Kosovë. Madje, kjo kompani ka krijuar konsorcium me subjektin mëmë në Shqipëri për prokurime publike. Ndërkohë, në vitet 2021-2025, ABS Shqipëria ka faturuar ABS Kosovën për rreth 400 mijë euro. 82 % e kësaj vlere ka qarkulluar vetëm në vitin 2025. Pra, përqendrimi rezulton në vitin kyç, kur hetimet e SPAK në Shqipëri ishin në kulm. Gjatë kësaj analize, një sërë lëvizjesh financiare ngrinin pikëpyetje të mëdha. Një formulë e vjetër investigative thotë se aty ku ka më shumë se një rastësi, atëherë ato nuk mund të jenë më rastësi…
