25-vjeçari Marjan Kodheli, i akuzuar për vrasjen me thikë të babait të tij, Pjetër Kodheli, disa ditë më parë në Durrës, është paraqitur sot para Gjykatës së Shkallës së Parë për masën e sigurisë.

Në ambjentet e gjykatës, brenda dhomës së xhamit, i riu është shfaqur duke buzëqeshur para nisjes së seancës gjyqësore, pavarësisht akuzave të rënda që rëndojnë mbi të.

Avokatja e tij ka dhënë një intervistë të shkurtër ku ka folur lidhur me të pandehurin. Ajo tha se i riu u la në burg për veprën penale dhe ende nuk kupton aktin e rënë që ka kryer. Sipas saj Marjani është një njeri i mbyllur dhe nuk dihet sa vuajtje mban ai brenda vetes.

“U vendos arrestimi i ligjshëm dhe u la në burg, Marjan Kodheli. Akoma nuk është bërë një ekzaminim paraprak, ai ende nuk e kupton veprimin që ka bërë. Marjani shihet si një njeri i mbyllur dhe i heshtur, nuk e dimë se çfarë ka vuajtur ai nga brenda. Është një veprim i rëndë, ka qenë veprim i pa paramenduar nga askush.

Ka qenë një veprim i momentit. Në komunitet ka qenë një familje e rregullt dhe punëtore. I ndjeri ka qenë familjar dhe i rregullt, punëtor, që ka kontribuar për familjen e tij. Nga njerëzit kam dëgjuar se ai ka pajtuar edhe gjaqe. Bashkëshortja e të ndjerit ka deklaruar se nuk kanë pasur asnjëherë konflikte. Marjani që 18 vjeç ka emigruar, ka mbaruar shkollën e mesme. Gjatë kohës që ka qenë në shkollë edhe ka punuar.

Pas moshës 18-vjeçare ka qenë emigrant, nuk e dimë se si është ndjerë ai atje. Kur është kthyer, në qershor, ka qenë një njeri i heshtur. Po priste të merrte një biletë dhe të kthehej në vendin e punës, para pak ditësh atij i kishte vdekur gjyshja. I ati i ka kërkuar të qëndrojë edhe disa ditë, i ka thënë kujdes kur vijnë njerëzit t’i presësh dhe përcjellësh. Këto fjalë atij mund të mos i kenë pëlqyer. Marjani nuk është shoqëruar asnjëherë në komisariat”, tha avokatja autorit të krimit, Tone Lekgegaj.