Detaje të reja po dalin nga ekspertiza balistike për vrasjen e 36-vjeçarit me origjinë shqiptare, Gjovalin Lazri, në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos.

Sipas rezultateve paraprake të ekspertizës, të raportuara nga mediat italiane, të shtënat dyshohet se janë kryer nga një distancë më e vogël se 14 metra.

Për ngjarjen është nën hetim 35-vjeçari Roberto Mollo, pronari i banesës ku ndodhi incidenti. Sipas rindërtimit paraprak të hetuesve, ai ishte zgjuar nga zhurmat jashtë pronës dhe kishte konstatuar praninë e disa personave në territorin e tij.

Ekspertët kanë gjetur gjithsej 12 gëzhoja, të grumbulluara në një zonë të vetme të banesës. Pozicioni i tyre po analizohet për të përcaktuar se nga ku janë kryer të shtënat dhe trajektoren e plumbave.

Në vendngjarje janë gjetur edhe tre elektrik dore. Njëri prej tyre ndodhej pranë trupit të Lazrit.

Sipas hipotezës së hetimit, Mollo kishte dalë në ballkonin e katit të parë pasi ishte zgjuar nga zhurmat. Nga aty, dyshohet se ka qëlluar në drejtim të dritave të elektrikëve që mbanin personat në pronë.

Një prej plumbave ka goditur Lazrin në qafë, duke i shkaktuar plagën fatale.

Ekspertiza balistike zgjati më shumë se pesë orë dhe përfshiu matje, të shtëna provë dhe simulime në terren, me qëllim përcaktimin e saktë të distancës, trajektoreve dhe pozicioneve të personave në momentin e ngjarjes.

Në proces kanë marrë pjesë ekspertë të prokurorisë, të mbrojtjes së Mollos dhe të familjes së viktimës. Prokuroria e Astit vijon hetimet, ndërsa 35-vjeçari mbetet nën hetim për vrasje.

Hetuesit pritet të rikthehen në vendngjarje gjatë natës për të rikrijuar kushtet e ndriçimit dhe të shikimit sa më pranë situatës reale të natës kur ndodhi ngjarja.

Ngjarja ndodhi në orët e para të 20 shtatorit. Sipas hetimeve, disa persona dyshohet se kishin hyrë në pronën e familjes Mollo. Pas të shtënave, vetë 35-vjeçari telefonoi numrin e emergjencës 112 dhe njoftoi autoritetet se kishte qëlluar një person, duke pretenduar se kishte vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.

Tashmë ekspertiza balistike pritet të luajë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e dinamikës së saktë të ngjarjes dhe në vlerësimin e versioneve të palëve.