Hetimet për vrasjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Laç kanë zbuluar detaje të reja mbi dinamikën e krimit, ku humbi jetën 40-vjeçari Ilir Lika.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, autoritetet kanë identifikuar si autor të dyshuar shtetasin Emiljan Suti, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për lokalizimin e tij.
Nga hetimet paraprake rezulton se viktima është ndjekur përpara se të ekzekutohej. Pasi kishte parkuar automjetin pranë banesës dhe ishte duke u drejtuar drejt saj, Lika është përballur me autorin e dyshuar, i cili dyshohet se e priste në vendngjarje.
40-vjeçari është qëlluar me të paktën shtatë plumba në pjesë të ndryshme të trupit, plagë që i shkaktuan vdekjen.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Deri më tani janë ngritur disa pista hetimi, ndërsa ajo që konsiderohet më e mundshme lidhet me konflikte të mëparshme që viktima dyshohet se kishte pasur jashtë territorit të Shqipërisë.
