Vrasja e Viktor Bardhit, alias Marku, në Ndërfushas të Mirditës vijon të mbetet pa autorë të dyshuar, kjo edhe për shkak të zonës ku ndodhi krimi. Në hyrjen drejt fshatit Nderfushas ka kamera sigurie, por asnjë mjet nuk shihet të lëvizë gjatë orëve kur mendohet se është kryer ekzekutimi.
Dyshimet janë se autorët që u përfshinë në këtë vrasje mund të kenë përdorur nënkalimin e ‘Rrugës së Kombit’ ose mund të kenë kaluar barrierat mbrojtëse të rrugës në këmbë (pasi ndodhen pak metra larg vendit të pritës) për t’u arratisur menjëherë pasi është kryer vrasja.
Edhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë në pikat hyrëse dhe dalëse të Rrëshenit, nuk është evidentuar asnjë gjurmë e automjetit të autorëve, i cili u gjet i djegur në Munaz rreth 20 minuta pasi njoftimit që kanë dhënë familjarët e 65-vjeçarit Viktor Marku, që e gjetën atë të pajetë.
Ekzekutorët dyshohet të jenë ndihmuar nga të tjera persona që i kanë pritur me automjet për të humbur gjurmët nga policia.
Në automjetin që u gjet i djegur nuk u gjetën as armë dhe as prova të tjera, një dyshim tjetër ky se nuk mund të jetë ai mjeti i autorëve, por një mundësi për të larguar hetimet nga mjete të tjera që kanë lëvizur në orarin që mund të jetë kryer vrasja.
