“Jam penduar dhe u kërkoj falje familjarëve të viktimave. Kam bërë një jetë të vështirë dhe kjo më detyroi të sillem në këtë mënyrë. Kërkoj gjykim të shkurtuar”. Kështu ka deklaruar sot përpara trupit gjykues, Viktor Gusho, super-hajduti i “të premteve”, siç u etiketua 37-vjeçari nga Patosi. Avokatja e tij, Vjollca Pustina, u shpreh se gjykata duhet ta pranojë këtë kërkesë, pasi klienti i tij ka pranuar autorësinë e krimeve, por nga deklarata e tij ka ndihmuar edhe zbardhjen e disa krimeve të tjera. Pritet që gjykata të shprehet për kërkesën në seancën e ardhshme, të caktuar në datën 26 nëntor.
Viktor Gushi u arrestua në mars të këtij viti, pak ditë pas tentativës së grabitjes së filialit të bankës “NBG” në sheshin “Shtraus”, ku mbeti e vrarë arkëtarja Leonora Kaloçi dhe u plagos roja e sigurisë, Skënder Elmazi. Pas ndalimit të tij, u zbulua se ai ishte autor i shumë vjedhjeve të tjera, dhe i vrasjes së argjendarit, Rrapo Sinanaj, për të cilin fillimisht u arrestua një shtetas kosovar.
Në kërkesën për gjykim përveç dy vrasjeve, Gushos i atribuohen mbi 30 grabitje, nga të cilat ka arritur të marrë rreth 3 milionë lekë të reja dhe 945 euro. Sipas organit të akuzës Gusho ka pasur një stil jetese të vetmuar, gjë që ka ndikuar në largimin nga normat sociale dhe shkëmbimi social, duke ndihmuar në krijimin e “rregullave” të tij. Synimi i tij ishte të krijonte një shumë të caktuar parash, që më në fund do ta ndihmonte të kishte biznesin e tij dhe kushtet për krijimin e një familjeje.
14 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)