Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur sekuestro preventive mbi një sërë pasurish të paluajtshme dhe llogari bankare në pronësi të noteres Sanja Telhallari, 35 vjeçe, si dhe të disa familjarëve të saj.
Sanja Telhallari nuk është një emër i panjohur pasi disa kohë më parë noterja ra pre e një tentative grabitjeje. Disa hajdutë tentuan ti vidhnin autometin luksoz “G-Class”.
Pas disa kohësh sërish ajo është grabitur nga hajdutët, të cilët i bohatisën vilën luksoze të sajën, me vlerë mbi 1 milionë euro.
Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se gjatë periudhës 2013–2024, Telhallari ka kryer transaksione të shumta për blerje pasurish, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në një kompleks rezidencial. Në total janë evidentuar 13 pasuri të paluajtshme, si dhe një numër i konsiderueshëm llogarish bankare, me vlera të larta monetare.
Sipas Prokurorisë, investimet në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, përfshirë makina luksoze dhe sende me vlerë, nuk justifikohen nga të ardhurat e saj si notere. Verifikimet kanë nxjerrë në pah një mospërputhje të theksuar mes të ardhurave të deklaruara dhe shpenzimeve reale të kryera nga Telhallari.
Gjithashtu, dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjet janë siguruar nga ish-bashkëshorti i saj, K. P., aktualisht i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, dhe i dënuar për shfrytëzim prostitucioni, me një dënim deri në 21 vite burgim.
Vendimi për sekuestron preventive synon të parandalojë transferimin, tjetërsimin apo përdorimin e këtyre pasurive gjatë hetimeve, duke ruajtur integritetin e provave për origjinën e dyshimtë të tyre.
Prokurori Ndini Tavani është në krye të çështjes, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e burimeve financiare dhe për identifikimin e pasurive të tjera të mundshme të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Dosja mbetet në ndjekje nga Prokuroria e Tiranës.