Ndryshimet e reja ligjore që janë publikuar ne fletoren zyrtare si pjese e paketës fiskale,  e shtrijnë tashmë qartë aktivitetin ekonomik edhe në internet.

Çdo person që gjeneron të ardhura online nga blogerët te influencerët konsiderohet subjekt tregtar dhe është i detyruar të publikojë në faqen apo profilin e tij të dhënat bazë si NIPT-in, emrin e subjektit, adresën dhe kontaktin.

Por si do ti identifikoje administrata tatimore dhe çfarë do të ndodhë me individët që refuzojnë t’i publikojnë këto të dhëna?

Ndryshimi në ligjin për procedurat tatimore ka përcaktuar mënyrën qe do të ndiqet për të kontrolluar aktivitetin ekonomik online qe gjeneron të ardhura ne rrjete të ndryshme sociale. Pas njoftimit zyrtar që do tu dërgohet nga administrate tatimore kështu VIP-at do të formalziojnë punën e tyre në rrjetet sociale. Këta individë do të jenë të identifikueshëm bazuar në të ardhurat të depozituata në llogarinë e tyre bankare.

“Edhe unë si biznes i kam këto të dhëna të ekspozuara, duke filluar nga nipti, adresa, të dhëna të subjektit edhe këta individë duhet t’i kenë të publikuara në llogarinë e tyre sociale. Mund të them që ka individë influencer që vijnë ne zyrën time për tu trajtuar si një subjekt tregtar pasi tani vet po ja kërkojnë edhe bizneset që bashkëpunojnë të cilët në fund duhet të kenë një fature për pagesat e kryera. Është një kërkesë e mëparshme tashme e realizuar dhe shumë mirë te gjithë që kryejnë këtë lloj aktiviteti ta zbatojnë”- shprehet audituesi ligjor Avni Tobli.

Ligji parashikon ashpërsim të masave në raste të moszbatimit të tij. Nëse brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit zyrtar nuk merren masa për publikimin e të dhënave, i kërkohet AKEP që këtyre influencerave tu bllokohet llogaria në rrjete sociale dhe aplikim të gjobës në rastet kundërshtuese.

Nevoja për këto ndryshime u diktua edhe nga kontrollet e kryera nga administrata tatimore. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm nga monitorimi vjetor janë identifikuar rreth 100 profile në rrjete sociale që në vitin 2025 gjeneruan mbi 33 milionë euro të ardhura, të depozituara në llogari bankare individuale. Shifra që, sipas ekspertëve, tregojnë për një ekonomi online në rritje, por edhe për nivele të larta informaliteti, që tashmë synohet të futen brenda sistemit tatimor. /Top Channel/