HIV-AIDS është një virus, i cili sulmon sistemin imunitar, sistemin natyral të mbrojtjes së trupit. Pa një sistem të fortë imuniteti, trupi e ka të vështirë të luftojë sëmundjet e ndryshme me të cilat përballet. Sipas mjekëve, është pikërisht ky virus dhe ky infeksion që krijohet, që quhet ndryshe HIV-AIDS. Rruazat e bardha të gjakut janë një pjesë e rëndësishme e sistemit imunitar.


HIV pushton dhe shkatërron qeliza të caktuara të rruazave të bardha të gjakut, që janë një pjesë e rëndësishme e sistemit imunitar dhe kështu, trupi nuk mund të mbrojë veten kundër infeksioneve. Faza e fundit e infeksionit HIV është SIDA (sindromi i fituar i mungesës së imunitetit). Njerëzit me AIDS marrin infeksione ose preken nga kanceri më shpejt sesa personat e shëndetshëm, duke sjellë për pasojë vdekjen. HIV-i mund të merret nga kontakti me gjakun e infektuar, spermë ose prej lëngjeve vaginale. Shumica e personave të infektuar e marrin këtë virus duke pasur marrëdhënie seksuale të pambrojtura me persona të infektuar me HIV.


Tjetër mënyrë e transmetimit të virusit është nëpërmjet shkëmbimit të gjilpërave të drogës me persona të infektuar nga HIV ose mund të kalohet nga nëna tek fëmija e saj gjatë shtatzënisë, lindjes, apo gjatë të të ushqyerit nëpërmjet gjirit. Por, HIV nuk mund të përhapet nga kontakti i rastit, nga një puthje, shkëmbim i gotave me ujë me një person të infektuar. Simptomat e personave të HIV-AIDS-it mund të ngatërrohen me ato të gripit. Mjekët shprehen se pas konstatimit të sëmundjes dhe marrjes së mjekimit, pacientët e infektuar me HIV-AIDS, mund të jetojnë për vite në mënyrë të shëndetshme, derisa sëmundja arrin të mposhtë imunitetin.