Një nga grupet më të fuqishme kriminale në Shqipëri, i drejtuar nga Elvis Doçi, i njohur si Visi i Pojës, është goditur nga operacioni i përbashkët i SPAK, Policisë së Shtetit dhe autoriteteve italiane. Nga 52 masa sigurie, janë ekzekutuar 40, ndërsa Doçi ka arritur të shmangë arrestimin.
Gjatë aksionit, janë sekuestruar 3 milionë euro, një sasi e konsiderueshme që tregon fuqinë ekonomike të këtij grupi. Kreu i SPAK, Altin Dumani, e cilësoi këtë grup si një ndër më të rrezikshmit në vend dhe Europë, për shkak të aktivitetit të gjerë kriminal dhe lidhjeve ndërkombëtare.
“Grupi ynë i hetimit, por edhe kolegët italianë, të gjithë bashkë konkludojmë që është një nga grupet më të rrezikshme, qoftë nga pushteti financiar që ata kanë, të ardhurat që sigurojnë nga aktiviteti kriminal, aftësia për të trafikuar kokainë nga vendet e Amerikës Latine dhe për ta shpërndarë në Europë, kryesisht në Itali”, tha Dumani.
Ai shtoi se qendra e aktivitetit të këtij grupi është Durrësi, ndërsa sqaroi se nuk bëhen publike emrat e personave për të cilët janë lëshuar masat e sigurisë, për shkak të fazës hetimore.
Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shteti , mohoi të ketë pasur dekonspirim të aksionit.
“Policia e Shtetit është përfshirë vetëm dje në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale dhe nuk ka pasur mbikëqyrje apo ndjekje të mëparshme ndaj personave të përfshirë. Sa i përket dekonspirimit, për mua nuk ka pasur asnjë problem”, tha ai.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe Eurojust, ndërsa vijojnë hetimet për ndjekjen e personave që kanë shmangur arrestimin dhe për identifikimin e pasurive të tjera që mund të jenë produkt i veprimtarive kriminale.