Viti i ri shkollor 2025-2026 do të nisë më 8 shtator për arsimin bazë dhe arsimin e mesëm të lartë, ndërsa do të përfundojë më 12 qershor 2026. Për maturantët e klasave të 12-a, viti shkollor do të mbyllet më 29 maj 2026.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, bëri të ditur edhe kalendarin e pushimeve për vitin e ri shkollor. Pushimet e dimrit për të gjithë nxënësit do të zhvillohen nga 22 dhjetor 2025 deri më 2 janar 2026, ndërsa pushimet e pranverës për arsimin bazë do të jenë nga 30 mars deri më 3 prill 2026.
Provimet kombëtare për klasat e 9-a do të zhvillohen nga 15 deri më 26 qershor 2026, ndërsa Matura Shtetërore për klasat e mesme do të mbahet gjatë periudhës 1-26 qershor 2026.
Ministrja Manastirliu theksoi se regjistrimet online në platformën “e-Albania” për klasat e para dhe të dhjeta vijojnë deri më 31 gusht. Librat shkollorë do të shpërndahen falas para fillimit të vitit të ri shkollor, dhe shkollat do të publikojnë listat dhe datat e shpërndarjes.
Përveç këtij, Manastirliu rikujtoi rregullat e shkollës, duke përfshirë ndalimin e përdorimit të telefonave. “Në rast shkeljeje të rregullave, shkolla do të forcojë masat dhe do të njoftojë menjëherë prindin,” deklaroi ministrja.
Për të lehtësuar komunikimin prind-shkollë, do të përdoret platforma SMIP, ku prindërit mund të konsultojnë dokumentet zyrtare të shkollës dhe të marrin informacion mbi cilësinë e mësimdhënies dhe orientimin e karrierës së fëmijës, pa pasur nevojë për paraqitje fizike.
Siguria dhe mbështetja e nxënësve do të realizohet përmes shërbimeve psiko-sociale dhe oficerëve të sigurisë, me standarde të reja për një ambient më të sigurt dhe mbështetës. Po ashtu, do të përdoren gjerësisht laboratorët inteligjentë për mësimin e shkencave, teknologjisë, gjuhëve të huaja dhe projekteve praktike.
Në nivel kombëtar, gjatë këtij viti shkollor do të zhvillohen edhe Konkursi Kombëtar i Teatrit për shkollat 9-vjeçare, Festivali i Shkencës për shkollat e mesme dhe Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe për klasat IX.
