Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas takimit të sotëm në Prishtinë me homologun shqiptar Edi Rama.
Përmes një postimi publik, Kurti bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për marrëveshjet bilaterale ekzistuese mes dy vendeve, si dhe për fushat ku ato mund të zgjerohen më tej. Sipas tij, në fokus kanë qenë edhe mundësitë e reja të bashkëpunimit, mënyrat për t’i shfrytëzuar sa më mirë ato, si dhe sfidat e përbashkëta dhe tejkalimi i tyre.
Kryeministri theksoi se me mandatet e ripërtërira të dy qeverive, përmes bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërshtetëror, synimi është që t’u shërbehet edhe më shumë qytetarëve të të dyja republikave dhe mbarë kombit shqiptar.
“Mirëprita Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam për marrëveshjet bilaterale që kemi dhe fushat se ku mund t’i shtojmë ato, për mundësitë e reja dhe si t’i shfrytëzojmë sa më mirë, si dhe për sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për t’i tejkaluar ato sa më lehtë. Me mandatet tona të ripërtërira, përmes bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërshtetëror, le t’u shërbejmë edhe më tej e më shumë qytetarëve në të dy republikat dhe kombit tonë mbarë”-, shkruan Albin Kurti.


