Lirohen katër të arrestuarit me bujë të martën. Policia nuk ka prova, vetëm dyshime
Operacioni policor dyshohet se u dekonspirua, ndaj nuk u gjetën prova për vjedhjen
Dështon operacioni i Policisë së Fierit i koduar “Skrapi” që u kurorëzua me ndalimin e drejtorit të Uzinës së Plehrave Azotike, Ferdinand Doksani dhe tre vartësve të tij, të dyshuar për vjedhjen e një sasie skrapi me vlerë rreth 11 milionë lekë (100 mijë USD). Dy prej të prangosurve, Julian Hoxha 26 vjeç me detyrë jurist i kësaj ndërmarrjeje dhe përgjegjësi i rojave Ali Liçaj 62 vjeç, janë liruar me urdhër të prokurorisë që prej mbrëmjes së të enjtes. Ky urdhër u dha pasi ndaj tyre nuk janë konstatuar prova që të vërtetonin veprat penale, për të cilat ishin ndaluar prej strukturave të luftës kundër krimit ekonomik të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit.
Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme gjykata ka vendosur të nxjerrë nga qelitë e paraburgimit edhe dy të ndaluarit e tjerë, drejtorin e Uzinës së Plehrave Azotike, Ferdinand Doksani 47 vjeç, dhe magazinierin e kësaj uzine, 57-vjeçarin Sotiraq Llazi.
Prokuroria i ka kërkuar gjykatës që të vendosë masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për magazinierin Sotiraq Llazi dhe garanci pasurore prej një milion lekësh për drejtorin Ferdinand Doksani. Gjithashtu prokuroria ka kërkuar që këtij të fundit t’i hiqej e drejta për ushtrimin e detyrës shtetërore deri në përfundim të hetimeve.
Ndërsa pala mbrojtëse ka pretenduar se të ndaluarit nuk kanë konsumuar asnjë prej veprave penale, për të cilat nisi procedim policia. Pasi ka dëgjuar të dyja palët, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke caktuar masën e lehtë të sigurisë, atë të detyrimit për paraqitje pranë prokurorisë sa herë të kërkohet.
Nga burime të organit të akuzës mësohet se kërkesa e caktimit të këtyre masave të lehta të sigurisë është bërë për shkak të mungesës së provave konkrete ndaj të dyshuarve. Mësohet se provat e vetme kanë qenë dyshimet e oficerëve të policisë se drejtuesit e Azotikut po vidhnin një sasi të konsiderueshme skrapi. Nga hetimet paraprake dyshohet se ka pasur një dekonspirim të operacionit. Kjo, pasi është konstatuar se të dyshuarit për vjedhjen e skrapit në Uzinën e Azotikut kanë qenë duke ngarkuar një kamion me mbetje metalike, por e kanë shkarkuar pak para se ta mbushnin, pa e nxjerrë nga rrethimi.
Mbrëmjen e së martës, Policia e Fierit me anë të një njoftimi zyrtar bëri të ditur se personat e sipërcituar u ndaluan në flagrancë për veprën penale të “vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe “korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë detyra publike”, parashikuar nga nenet 135, 25, 22 dhe 244 të Kodit Penal. Gjithashtu, policia pohoi se nisi procedim penal në gjendje të lirë edhe ndaj shtetases Adelina Daka, 47 vjeçe, me detyrë ekonomiste financiere në Uzinën e Plehrave Azotike Fier. Sipas policisë, ata tentuan të vidhnin një sasi të konsiderueshme skrapi me vlerë 11 milionë lekë të reja.
Edmond Hoxhaj