Një operacion i policisë në Shkodër ka çuar në arrestimin e një 25-vjeçari dhe shpalljen në kërkim të një 39-vjeçari, të dyshuar për vjedhje, mbajtje dhe prodhim armësh pa leje, si dhe trafikim droge.

Sipas njoftimit të policisë, është arrestuar shtetasi S. C., 25 vjeç, banues në Shkodër, i cili ishte në kërkim nga autoritetet. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Shkodër kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për disa vepra penale, përfshirë “vjedhjen në bashkëpunim”, “mbajtjen dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”, si dhe “prodhimin dhe shitjen e narkotikëve”.

Po ashtu, një tjetër person, B. B., 39 vjeç, gjithashtu banues në Shkodër, është shpallur në kërkim për përfshirje në këto vepra penale. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për gjetjen e B. B., i cili është ende në arrati.

“Më datë 29.04.2025, gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur Livadhet e Kirasit, në lagjen “Guerile”, në një ambient u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, si dhe automjeti tip “Toyota Hilux”, pa targa, i cili u gjet i fshehur dhe i mbuluar në një distancë rreth 100 m larg, ku pas verifikimit rezultoi se ishte i vjedhur në qytetin e Durrësit.”, njofton policia.