Dëshmia e të rinjve: E merrnim në farmaci. Policia regjistron 6 raste


Silvana Muça


ILAC GJUMI“Vjedhja ishte e vetmja mënyrë jetese për ne. Nuk kemi qenë kurrë në punë dhe përfitimi i të ardhurave ka qenë i vështirë. Duhet të mbijetonim dhe të jetonim si gjithë të rinjtë e tjerë. Të vetmen rrugëzgjidhje gjetëm vjedhjen. Jemi penduar për gjithçka që kemi bërë”, kështu mësohet të kenë thënë dy të rinjtë që grabitën shitësin e butikut M.P dhe taksistin Erjon Sh., në zonën e quajtur pallatet “Agimi”, disa ditë më parë në Tiranë. Andi Mekrizvani dhe Mentor Dunga, prej kohësh kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, që prej fillimit të aktivitetit kriminal. Shitësi i butikut dhe taksisti, nuk janë të vetmit persona që kanë rënë viktimë e vjedhjeve me anë të valiumit diazepam. Burime nga policia e Tiranës bëjnë me dije se ndaj grupit të hajdutëve, janë regjistruar gjithsej 6 raste. Ata e fusnin diazepamin në pije, me anë të shiringës, duke shpuar kanoçen, e cila nuk dallohej. Fillimisht të rinjtë e studionin prenë, më pas i afroheshin dhe silleshin në mënyrë mjaft miqësore. Pas një bisede të gjatë mes “viktimës” dhe hajdutit, në shenjë “mirësjelljeje” ky i fundit i ofronte një pije freskuese, apo energjike. Pa më të voglin dyshim, në rastin e fundit, shitësi dhe taksisti e pranuan, duke e falënderuar. I gjithë ky skenar zgjaste 40-60 minuta. Personi tjetër vëzhgonte gjithçka në distancë, për ta pasur situatën nën kontroll. Në momentin që preja humbte kontrollin, atëherë grabitësit ndërhynin, për të marrë gjithçka me vlerë që u dilte përpara. Të njëjtën gjë e kishin bërë në gjashtë raste, duke u shpëtuar prangave. Brenda një harku të shkurtër kohor, Andi Mekrezvani e kishte ndërruar banesën që jetonte me qira, dy herë. Mungesa e korrektësisë, në dhënien e qirasë ka bërë që ai të lëvizte nga njëra banesë te tjetra.


 


E mësuam në internet


Të rinjtë e kanë mësuar metodën e vjedhjeve në internet, media dhe nga bisedat mes shoqërisë. Pas vjeljes së informacionit në rrugë të ndryshme, ata e kanë vënë në jetë, mekanizmin e sofistikuar të vjedhjes. Hajdutët kanë qenë të vetëdijshëm për efektet që shkaktonte diazepami. Thonë se nuk ka qenë farë e vështirë që ta siguronin lëndën e parë, mjaftonte që t’i drejtoheshin farmacisë. Në kryeqytet janë zbuluara 9 raste të tilla, në një hark kohor 2-mujor, fatmirësisht pa viktima. Grupi Mekrezvani dhe Dunga kanë kryer 6 vjedhje me këtë metodë, ndërsa personi tjetër ka bërë 3 vjedhje. Një taksist që ka konsumuar diazepam, ka pasur komplikacione serioze në organizëm. Mekrezvani është identifikuar nga pamjet filmike të një agjencie të këmbimit valutor, që ndodhej ngjitur me butikun, ku të rinjtë vodhën rreth 40 mijë lekë veshje dhe paratë e xhiros ditore të dyqanit. M.P, thotë se pas konsumimit të pijes energjike me valium, memoria i zhdukej dhe se ishte tërësisht i pavetëdijshëm për atë që po ndodhte rreth tij. Viktimë e kësaj ngjarjeje ka rënë edhe miku i shitësit, taksisti Erjon Sh, i cili është përplasur me mjetin që drejtonte, pas efektit të diazepamit. Në këtë moment në skenë ka hyrë edhe Dunga, ku është përpjekur për të grabitur Erjonin, por nuk ia ka dalë.


 


Medikamenti


Rreziqet e valiumit diazepam


Diazepami përdoret për trajtimin e çrregullimeve të ankthit, apo spazmat e muskujve. Gjithashtu, ky lloj valiumi është përdorur ndonjëherë me medikamente të tjera për të trajtuar kontraktimet e muskujve. Personat që janë me astmë apo kanë probleme të frymëmarrjes, veshkave ose sëmundje të mëlçisë, nuk duhet që ta përdorin, pasi ka efekte të theksuara anësore. Ndër të tjera qetësuesi është i ndaluar edhe për personat që kanë ndonjë histori të përdorimit të drogës, apo kanë varësi të alkoolit, sëmundjeve mendore, depresionit ose mendime vetëvrasjeje, sepse e bën pacientin të pavetëdijshëm dhe pasojat janë fatale. Gjithashtu, ai është i ndaluar të përdoret gjatë momenteve që konsumohet alkool, sepse ky mjekim mund të rrisë efektet e alkoolit. Një mbidozë diazepam mund të jetë fatale edhe për gratë shtatzëna dhe personat diabetikë.