“Facebook” 


Kjo përfaqëson ofertën më të lartë të një kompanie interneti në historinë e Wall Street



“Facebook”-u nisi dje shitjen e aksioneve investitorëve, në atë që shihet si vënia në qarkullim e aksioneve, më e madhja ndonjëherë. Kompania ka vendosur që çmimi i aksioneve të jetë 38 dollarë, në atë që njihet si Oferta Fillestare Publike, apo IPO.

Vlerësohet se vlera e kompanisë do të shkojë rreth 104 miliardë dollarë, që është vlera më e madhe në tregun e kompanive të internetit.


I themeluar jo më larg se tetë vjet më parë, “Facebook”-u bën pjesë sot në dhjetë markat më të njohura të botës dhe është në një radhë me “McDonalds” ose “Coca Cola”-n, kjo e fundit e themeluar 100 vjet më parë. Dalja në bursë mund të sjellë fitime deri në 20 miliardë dollarë. “‘Facebook’-u mund të arrijë gjithçka. Komuniteti i investuesve i njeh shifrat gjigante të përdoruesve dhe shanset e rritjes”, thotë tregtari i Wall Street-it, Louis Sulsenti. Kjo ishte një nga daljet më të mëdha në bursë të të gjitha kohërave. Si krahasim: dalja më e madhe deri tani në bursë e “Google” solli diçka më shumë se 1,7 miliardë euro. Por dalja në bursë e “Facebook”-ut i ndan mendimet e njerëzve të botës së financave. 900 milionë vetë e përdorin “Facebook”-un në të gjithë botën, një shifër sa tri herë popullata e SHBA-së. 900 milionë herë të dhëna specifike për njerëzit, për interesat, preferencat dhe rrjedhën e jetës së tyre, gjithmonë aktuale dhe të përkthyeshme në para: mbi tre miliardë dollarë arriti të fitojë rrjeti social vitin e kaluar vetëm përmes reklamës. E ardhmja e biznesit në internet, sipas analistëve, ndodhet në fushën e përdorimit portativ përmes celularit ose aparateve të tjera, këtu “Facebook”-ut i mungon modeli i biznesit. Po të marrim vetëm muajin mars, përdoruesit e përdorën rrjetin social 100 minuta më gjatë në mjete portative se në kompjuterin e tyre. “Përdorimi më i gjatë përmes aparateve portative ul kuotën e fitimit të faqes në internet, meqenëse reklama ka vetëm në faqen joportative”, thotë analisti i teknologjisë informative, Scott Kessler nga “Standard&Poor’s”. Për të ardhmen nevojitet një koncept, që të sigurojë para edhe nga përdoruesit në aparate portative. Me gjithë numrin e madh të përdoruesve, prej një kohe të gjatë aktiviteti i përdoruesve ka rënë. Analistët e quajnë këtë Trend Sharing Fatigue, lodhje për të ndarë gjithçka gjithmonë me të gjithë rrjetin. Por tani të gjithë mendojnë njëlloj: “Facebook”-u duhet të bëhet më i zhdërvjellët, për shembull të operojë si kompani multimediale, të integrojë më mirë lojërat, videot e filmat dhe të shtrihet edhe në fushën e telekomunikacionit.


 


Vlerësimi: “Facebook”-u nisi dje shitjen e aksioneve investitorëve, në atë që shihet si vënia në qarkullim e aksioneve, më e madhja ndonjëherë. Kompania ka vendosur që çmimi i aksioneve të jetë 38 dollarë


Fitimet: Dalja në bursë mund të sjellë fitime deri në 20 miliardë dollarë. “‘Facebook’-u mund të arrijë gjithçka. Komuniteti i investuesve i njeh shifrat gjigante të përdoruesve dhe shanset e rritjes”