Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, kërkon të lirohet nga masa e “arrestit në shtëpi”, duke e çuar çështjen në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha, ankimi është depozituar këtë të martë nga avokati i Hysenit, i cili kundërshton vendimin e marrë më herët nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.
Mbrojtja kërkon heqjen e menjëhershme të masës së sigurisë. Sipas argumentimit të avokatit, nuk plotësohen kushtet ligjore që justifikojnë vazhdimin e “arrestit në shtëpi”.
Tashmë pritet që Apeli i Posaçëm të shqyrtojë kërkesën dhe të vendosë nëse masa ndaj ish-drejtueses së SHISH do të mbetet në fuqi apo do të ndryshohet.
Vlora Hyseni është aktualisht nën hetim nga SPAK për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Hetimet ndaj saj vijojnë dhe akuzat për të cilat po hetohet nuk përbëjnë në vetvete një vendim përfundimtar mbi fajësinë.
