Një stuhi shiu që përfshiu Vlorën gjatë orëve të natës shkaktoi grumbullime të konsiderueshme uji në disa prej rrugëve dhe lagjeve të qytetit, duke krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.

Reshjet intensive nisën rreth mesnatës dhe vijuan për afro dy orë, kohë e mjaftueshme që disa akse rrugore të mbuloheshin nga uji.

Pavarësisht situatës së krijuar, disa turistë të huaj e kthyen përmbytjen në një moment argëtimi. Në pamjet e filmuara gjatë natës, ata shihen duke hyrë në ujin e grumbulluar në rrugë dhe duke luajtur mes tyre.

Ndërkohë, ekipet e Ujësjellës-Kanalizimeve u angazhuan gjatë gjithë natës për të larguar ujin dhe për të rikthyer normalitetin në zonat e prekura.

Pas ndërhyrjeve të kryera, situata u përmirësua gjatë orëve të mëngjesit. Deri në paradite, uji ishte tërhequr nga rrugët e përmbytura, duke mundësuar rikthimin e qarkullimit normal të automjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve.