Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve ka paralajmëruar sërish ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm në qytetin e Vlorës. Sipas njoftimit të publikuar, këtë të premte, nga ora 8:00 deri në orën 18:00, do të stakohet Stacioni Nr. 4, për shkak të punimeve në rrjetin ujësjellës.
Për pasojë, zona e Vlorës që furnizohet nga depoja e qytetit do të mbetet pa ujë gjatë pasdites, ndërsa furnizimi në orarin e mëngjesit do të vijojë normalisht.
Pak javë më parë, qyteti i Vlorës përjetoi një problematikë të madhe me furnizimin me ujë, kur për shkak të një avarie në rrjet, qytetarët mbetën pa ujë për një periudhë prej 6 ditësh. Kjo situatë shkaktoi protesta masive të qytetarëve, të cilët kërkuan zgjidhje urgjente, duke nxitur reagimin e shpejtë të institucioneve shtetërore që mundësuan riparimin e defektit.

