Nis procedimi penal edhe për inspektorët urbanistë dhe të mjedisit që kanë lejuar krijimin e hapësirave në det


Krijimi i moleve dhe hedhjet e inerteve të ngurta në det, “do u kushtojnë shtrenjtë” inspektorëve urbanistik të Bashkisë Vlorë dhe atyre të Agjencisë Rajonale të Mjedisit. Drejtoria e policisë së qarkut Vlorë ka deklaruar se ka nisur procedimi penal për “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, në ngarkim të Inspektorëve të Inspektorateve Ndërtimore Urbanistike të Bashkive Vlorë dhe Orikum, në ngarkim të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar si dhe në ngarkim të Inspektorëve të Agjencisë Rajonale të Mjedisit Vlorë: “pasi inspektorët e këtyre institucioneve nuk kanë reaguar konform ligjit përballë rasteve të krijimeve të moleve apo hëpësirave në brendësi të detit”.


Ndërkohë që i njëjti burim ka saktësuar se pas shqetësimeve të ngritura vazhdimisht nga qytetarët, Policia e Vlorës ka nisur procedimin penal për 26 persona, të cilët kanë hedhur inertet e ngurta përgjatë vijës bregdetare të bashkisë Orikum dhe Vlorë.


Të proceduarit janë kryesish drejtues të subjekteve private, të cilët kanë krijuar mole dhe hapësirave të mëtejshme në brendësi të detit. “Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë Qarku Vlorë në bazë të një plani të posaçëm  operacional ka bërë dokumentimin e plotë ligjor dhe referimin e materialeve për në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë për 26 raste. Më konkretisht ka filluar procedimi penal për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Ndotja e ujërave”, për shtetasit: A. H., 72 vjeç, banues në Orikum; M. V., 32 vjeç, banues në Vlorë; S. D., 50 vjeç, banues në Orikum; T. M., 42 vjeç, banues në Orikum; E. K., 53 vjeç, banues në Orikum; S. D., 68 vjeç, banues në Orikum, Sh. M., 49 vjeç, banues në Orikum, F.Gj., 32 vjeç, banues në Orikum, N. B., 57 vjeç, banues në Orikum, S., H., 49 vjeç, banues në Orikum, B. M., 55 vjeç, banues në Orikum, D. S., 29 vjeç, banues në Vlorë, Y.H., 34 vjeç, banues në Vlorë, A. Gj., 59 vjeç, banues në Orikum; F. N., 80 vjeç, banues në Orikum; I. A., 47  vjeç, banues në Vlorë; K. M., 44 vjeç, banues në Vlorë; P.K., 52 vjeç, banues në Orikum; S. S., 64 vjeç, banues në Orikum; B. N., 62 vjeç, banues në Vlorë, F. Gj., 48 vjeç, banues në Orikum; M. R., 45 vjeç, banues në Vlorë; Sh. Z. 55 vjeç, banues në Vlorë; Sh. D., 42 vjeç, banues në Orikum; V. B., 40 vjeç, banues në Vlorë; V. D., 46 vjeç, banues në Orikum”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së Vlorës.


18 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)