imageRreth 40 klandestinë janë ndaluar mesditën e sotme në qytetin e Vlorës, pasi kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në vendin tonë përmes kalimit të maleve nga Greqia.


Sipas policisë, 5 prej tyre, të cilët janë me origjinë nga Eritrea, kanë shfaqur probleme shëndetësore.


Policia i ka dërguar ata në spitalin e qytetit, ku iu janë nënshtruar edhe analizave e grafive. Problemi më i madh i tyre, ka qenë dehidratimi i plotë i trupit, pasi kishin ditë që nuk kishin ushqyer dhe pirë ujë gjatë ardhjes në Shqipëri.


Mes tyre ka pasur edhe disa femra, të cilat kanë pasur probleme me stomakun. Të gjithë klandestinët, janë mjekuar dhe analizuar në një dhomë të veçantë për shkak të rrezikut të prekjes së virusit të Ebola-s, që është rishfaqur kohët e fundit në Afrikë.


Burime policore saktësuan se analizat e tyre iu janë dërguar në drejtorinë e ISHP-së në Tiranë.


12 gusht 2014 (gazeta-Shqip.com)