vloreNëntë persona kanë mbetur të plagosur në një aksident rrugor të ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Vlorës. Burimet policore sqaruan se rreth orës 16:30 të ditës së sotme, një furgon me mallra është përplasur me një furgon me pasagjerë në rrugën “At Kristo Negavani”, tek vendi i quajtur “Kapelja”.


Mësohet se në furgonin e pasagjerëve udhëtonin 15 persona, nga të cilët 9 kanë mbetur të plagosur. Ata janë dërguar menjëherë për në spitalin rajonal të Vlorës, ku kanë marrë ndihmën e duhur mjekësore. Sipas bluzave të bardha, tre nga të plagosurit, mes të cilëve edhe shoferi i automjetit, i janë nënshtruar operacionit dhe ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.


Të plagosurit e tjerë kanë marrë fraktura të rënda në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit. Policia e qytetit të Vlorës ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij aksidenti.


26 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)