Një automjet që shërbente për transportin e nxënësve është aksidentuar në Vlorë me një autoveturë. Fatmirësisht, nxënësit dhe drejtuesit e mjeteve nuk kanë pësuar dëmtime të mëdha. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 8:10 minuta, kur automjeti tip “Mercedes Benz” me targa AA 588 BU ka ecur me shumë shpejtësi dhe ka kërkuar parakalim në një rrugë e cila është shumë e ngushtë dhe si pasojë e parakalimit të gabuar është përplasur fillimisht më një pemë e cila ka qenë anës rrugës dhe më pas ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një furgon me targa VL 1126 C. Furgoni kishte në kabinën e tij 6 fëmijë, të cilët ishin duke shkuar në kopsht. Sipas policisë, aksidenti ka ardhur si pasojë e shpejtësisë jashtë normave të lejuara në këtë rrugë, si dhe manovrimit të gabuar të drejtuesit të automjetit. Pasi “Benz”-i është përplasur më pemën anës rrugës, nga rrotullimi në rrugë ka goditur pjesën e majtë të furgonit, duke e spostuar këtë të fundit në trotuar. Nga goditja e marrë është plagosur drejtuesi i automjetit në kokë, si dhe një nga gjashtë fëmijët e ndodhur në furgon ka pasur goditje të lehta në hundë. Menjëherë të gjashtë fëmijët janë transportuar në spital, ku fëmija që është goditur kë hundë ka marrë mjekim dhe të tjerët, pasi janë pyetur kanë shkuar në familjet e tyre. Policia po nxjerr dhe shkaqet e aksidentit, si dhe ka shoqëruar drejtuesin e automjetit tip “Mercedes”. M.M