Akuzohet se ka mashtruar, droguar dhe përdhunuar nën kërcënimin e armës për disa ditë rresht një femër, e tashmë është vënë në prangat e policisë së Vlorës. Burimet zyrtare nga policia e qytetit bregdetar bën të ditur se denoncimi për 37-vjeçarin Dritan Manaj është bërë nga vet e dhunuara, e cila pasi ka mundur të largohet nga shtëpia e agresorit, është drejtuar bashkë me familjarët e saj, për në Komisariatin e Vlorës.
“Shtetësia me inicialet K. B. ka kallëzuar faktin se para disa ditësh shtetasi Dritan Manaj, me anë të mashtrimit e ka rrëmbyer dhe përdhunuar nën kërcënimin e armës dhe mbajtur jashtë vullnetit të saj për disa ditë me radhë. Vetëm dje ajo ka arritur ti shpëtojë këtij personi dhe është paraqitur në Polici për të dhënë kallëzim”, bëjnë të ditur burime policore.
Pas denoncimit, është organizuar puna për gjetjen dhe kapjen e 37-vjeçarit Manaj, banues në fshatin Peshkëpi të Komunës Vllahinë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”. Nga hetimet paraprake është arritur në konkluzionin se 37-vjeçari Manaj, me anë të mashtrimit ka arritur të rrëmbejë shtetasen A. B., të cilën e ka çuar në shtëpinë e tij dhe nën kërcënimin e armës e duke i ndërprerë lidhjet me familjarët e saj e ka mbajtur për disa ditë me radhë jashtë vullnetit të saj. Gjatë kësaj kohe ky shtetas dyshohet se nën kërcënimin e armës e ka keqtrajtuar, droguar dhe përdhunuar atë.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip automatik mod 56 (kallashnikov) si dhe 97 gr lëndë narkotike e llojit ‘Cannabis sativa’. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Materialet procedurale ju referuan Prokurorisë së Rrethit Vlorë për ndjekje të mëtejshme penale.
4 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)