38-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për “trafik lëndësh narkotike” dhe “pjesëmarrje në organizatë kriminale”
Drejtoria e Policisë e Qarkut Vlorë ka realizuar arrestimin e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ana e INTERPOL Roma. Sipas informacioneve të policisë së Vlorës, si rezultat i finalizimit me sukses të operacionit policor të koduar “SEVASTERI” është bërë i mundur arrestimi i shtetasit Arten (Artan) Agron Lici (Memushi), 38 vjeç, banues në fshatin Sevaster të Rrethit Vlorë.
Burime të policisë lokale sqarojnë se, kapja dhe ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në ngarkim të tij Gjykata Penale e Firences kishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar. Ky shtetas kërkohet nga autoritetet e drejtësisë italiane për “trafik lëndësh narkotike” dhe “pjesëmarrje në organizatë kriminale”.
Ndërkohë, materialet procedurale në ngarkim shtetasit të mësipërm i janë referuar Prokurorisë me qëllim ekstradimin e tij në Itali.