Gjykata dënon nëntë bankierët, por pa burg
Punonjësit lejuan kolegun për kryerjen e transaksioneve, me të cilat kreu vjedhjen
Edmond Hoxhaj
Ndonëse ndëshkimi i korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës nga ana e zyrtarëve publikë është “refreni” i rekomandimeve të ndërkombëtarëve, si një kusht parësor për integrimin e vendit në BE, abuzuesit vazhdojnë të mbeten ende të “paprekshëm”. Një rast i tillë është edhe vendimi i Gjykatës së Fierit për pezullimin e dënimit që vetë kjo gjykatë ka dhënë ndaj nëntë bankierëve të akuzuar për shpërdorim detyre. Bëhet fjalë për nëntë bankierët, të cilët u akuzuan nga Prokuroria e Fierit për shpërdorim detyre, pas zbulimit të vjedhjes së 1.3 milionë eurove nga një filial i një banke në këtë qytet, vjedhje për të cilën është dënuar në shkallën e parë me 12 vjet burg, Gjergji Xhaho, që punonte aty si zyrtar i nivelit të lartë. Por, ndonëse gjykata i ka shpallur të fajshëm për shpërdorim detyre, ka vendosur pezullimin e këtij vendimi me kusht.
Të akuzuarit
Prokurorja e çështjes, Elsa Miha, ngriti akuzën e “shpërdorimit të detyrës” ndaj kolegëve të Xhahos, pasi nga hetimet u konkludua se ata kanë ndihmuar me ose pa dashje të dënuarin me 12 vjet burg. Nëntë të pandehurit janë tre ish-drejtorët Arben Hasanaj, Agron Bulku, Klodian Mahilaj; dy oficerët e kredisë Mariola Zariu e Artur Qalliaj, si dhe katër arkëtaret Elda Mone, Edvina Petani, Lorena Zhezha dhe Armando Pepa.
Pretenca
Në përfundim të hetimit gjyqësor ndaj nëntë të pandehurve të sipërcituar, prokurorja Elsa Miha ka kërkuar deklarimin fajtor të tyre dhe dënimin me burg e me gjobë për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Kështu, për tre ish-drejtorët e filialit të bankës, të pandehurit Klodjan Mahilaj, 32 vjeç banues në Lushnjë, Agron Bulkun, 39 vjeç banues në Tiranë dhe Arben Hasanajn, 43 vjeç banues në Tiranë, u kërkua deklarimi fajtor dhe dënimi i tyre me 3 vjet burgim e 600 mijë lekë gjobë secili. Ndërkaq, u kërkua dënimi me 2 vjet burgim e 400 mijë lekë gjobë për të pandehurit Artur Qalliaj, 30 vjeç dhe Mariola Zariu, 33 vjeçe që të dy banues në Fier. Gjithashtu, prokurorja Elsa Miha kërkoi që të deklarohen fajtorë për të njëjtën vepër penale edhe për arkëtaret Elda Mane, Edvina Petani, Lorena Zhezha dhe arkëtarin Armando Pepa e të dënohen me nga 1 vit burgim e 300 mijë lekë gjobë. Ndërsa mbrojtësit e të pandehurve kanë kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm.
Vendimi
Pasi gjykata ka shqyrtuar konkluzionet përfundimtare të akuzës dhe të mbrojtësve të të pandehurve ka vendosur shpalljen e tyre fajtor. Kështu, për ish-drejtorët e filialit të bankës gjykata ka vendosur dënimin me një vit e gjashtë muaj burgim. Për të pandehurin Artur Qalliaj ka vendosur dënimin me një vit burgim. Ndërsa për të pandehurit Armando Pepa, Mariola Zariu, Elda Mone, Edvina Petani, dhe Lorena Zhezha gjykata ka vendosur dënimin e tyre me nga 9 muaj burgim. Për shkak se të pandehurit kanë kërkuar gjykimin e shkurtuar, ata përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit të dhënë.
Pezullimi
Ndonëse ata janë shpallur fajtor prej gjykatës, kjo e fundit ka vendosur që t’ua pezullojë vendimet e dënimeve me kusht që ata të mos kryejnë vepër tjetër penale gjatë 18 muajve të ardhshëm. Në argumentimin e vendimit të pezullimit të dënimeve, gjykata ka vlerësuar se të pandehurit nuk janë persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi janë me arsim të lartë.
Ankimimi
Por vendimi i pezullimit të dënimeve nga gjykata është cilësuar si i padrejtë nga prokuroria. Prokurorja e çështjes e ka ankimuar në Apel këtë vendim pezullimi, duke argumentuar se rrezikshmëria e të pandehurve nuk mund të vlerësohet nga arsimimi i tyre, por nga pasojat që ka sjellë vepra penale që kanë konsumuar. Gjithashtu, prokuroria ka nxjerrë në pah edhe sjelljen e të pandehurve gjatë hetimit gjyqësor. Sipas prokurorisë ata nuk kanë ndier pendesë për veprën penale të kryer, por janë justifikuar se veprimet me të cilat kanë shpërdoruar detyrat i kanë bërë në mirëbesim të të pandehurit Gjergji Xhaho, i cili arriti të vjedhë me anë të falsifikimit të dokumenteve 1.3 milionë euro nga filiali i bankës ku punonte vetë. Sipas prokurorisë, pezullimi i dënimit bënë që këta të pandehur të krijojnë idenë se mungon ndëshkueshmëria edhe kur kryhen vepra penale. Ndërkaq, të pandehurit vazhdojnë ende të punojnë në bankën në fjalë, ku disa prej të cilëve mbajnë poste drejtuese.
Dosja
Si u vodhën 1.3 milionë euro
Nga hetimet ka rezultuar se Gjergji Xhaho, duke qenë në detyrat e oficerit të kredisë dhe drejtorit të një filiali të një banke në Fier, e ka vjedhur atë në mënyrë të vazhdueshme përgjatë viteve 2005-2010, duke i shkaktuar një dëm të përllogaritur në shumën e 1.300.000 (një milion e treqind mijë) eurove. Sipas prokurorisë, në realizimin e veprimtarisë kriminale, i pandehuri Gjergji Xhaho ka përfituar nga moskryerja e rregullt e detyrës së punonjësve të bankës dhe konkretisht, arkëtarëve, oficerëve apo drejtorëve, të sipërcituar. Ajo çka ka rezultuar për tre drejtorët e degës, Arben Hasanaj, Agron Bulku, Klodjan Mahilaj, është se nuk kanë menaxhuar në mënyrë korrekte marrëdhëniet me klientët e bankës. Edhe pse në fund të ditës, ata kanë hasur transaksione brenda limitit të tyre të autorizimit, të cilat nuk ishin autorizuar elektronikisht nga ata, nuk kanë kërkuar justifikime për këtë transaksion nga përdoruesi. Për më tepër ata kanë toleruar autorizimin elektronik të transaksioneve nga kompjuteri i përdoruesve pa prezencën e tyre në kompjuter, me përdorimin e kodeve të sigurisë së hyrjes në sistem të drejtorit të degës, i notifikuar te punonjësi i degës.