Këshilli i Etikës në Kuvend ka vendosur përjashtimin për 60 ditë të deputetit Agron Shehaj, pas debatit të zhvilluar lidhur me publikimin e dokumentit sekret të marrëveshjes.

Vendimi u mor me 3 vota pro dhe 3 kundër, por shumica parlamentare votoi në favor të masës disiplinore ndaj deputetit të opozitës.

Opozita kundërshtoi vendimin, duke e cilësuar atë si një masë politike dhe një tentativë për të ndëshkuar publikimin e një dokumenti me interes publik. Sipas saj, Shehaj po penalizohet për denoncimin e një marrëveshjeje që kërkonte transparencë.

Agron Shehaj akuzohet se ka bërë publik një dokument të klasifikuar si sekret, ndërsa mazhoranca argumenton se veprimi i tij ka shkelur rregullat e funksionimit të Kuvendit.

Përjashtimi prej 60 ditësh do të thotë se Shehaj nuk do të marrë pjesë në seancat plenare dhe aktivitetet parlamentare gjatë kësaj periudhe.