Përmet – Vidhet gjatë orëve të natës filiali i Postës Shqiptare në Komunën Sukë të Përmetit. Zyrat e saj janë thyer dhe shkatërruar, ndërsa policia ka vënë në pranga të dyshuarin për këtë vjedhje, 33-vjeçarin Françesko Kasaj nga fshati Zhepovë i Përmetit. Ky person dyshohet se ka hyrë rreth orës 03:00 të mëngjesit në zyrat e Postës, duke shqyer dyert dhe duke thyer kasafortën për të marrë lekët. Por, duke qenë se aty nuk ka gjetur sasinë e parave që kërkonte, është larguar prej andej, duke vjedhur kompjuterët, të cilët përdoreshin për internet falas, të aktivizuara për banorët e zonës. Madje, kompjuterët mendohet se vetë ai i ka fshehur në vendin e quajtur Marovë, në pyll, të cilët janë gjetur nga policia. Sipas grupit hetimor, 33-vjeçari është i skeduar si vjedhës serial për të cilat ka qenë edhe i dënuar katër herë. Konkretisht, ai njihet si autor i vjedhjes me dhunë në një banesë në Përmet në vitin 2008, ndërsa në vitin 2009 ka grabitur Kishën e Përmetit. Ndërsa në vitin 2011 ka kryer një vjedhje në një lotari sportive, si dhe në zyrat e një kompanie sigurimesh po në qytetin e Përmetit. E. S.