Një 44-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia greke, pasi dyshohet se është autor i disa grabitjeve në zonat e Evias veriore dhe Ftiotidës. Identifikimi i tij u bë i mundur falë gjurmimit të një tableti të vjedhur.

Sipas mediave greke, shqiptari, banues në zonën e Istiaias, dyshohet se fillimisht vodhi një automjet nga oborri i një banese në Edipsos, me të cilin më pas u drejtua drejt Ftiotidës për të vijuar aktivitetin e tij kriminal.

Një ditë më vonë, ai dyshohet se hyri me forcë në banesën e një mësueseje në Nea Anhialos, nga ku mori bizhuteri, orë, një laptop, një tablet dhe sende të tjera me vlerë.

Grabitja u zbulua pasi pronarja përdori aplikacionin e lokalizimit të tabletit të vjedhur dhe njoftoi menjëherë policinë. Efektivët u drejtuan në zonën e Glyfës në Ftiotidë, ku lokalizuan të dyshuarin.

Gjatë kontrollit të automjetit që ai përdorte, policia gjeti tabletin e vjedhur, si dhe sende të tjera që dyshohet se ishin marrë nga banesa. Hetimet zbuluan gjithashtu se edhe automjeti me të cilin lëvizte 44-vjeçari rezultonte i vjedhur.

Policia greke po vijon hetimet për të verifikuar nëse shqiptari është i përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme të grabitjeve dhe vjedhjeve.