Një grabitje me dhunë është regjistruar pasditen e sotme në lagjen nr. 17 në Durrës, ku një person ka marrë një shumë parash nga kasa e një marketi dhe më pas është larguar nga vendngjarja.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00. Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur veprimet hetimore.

Si rezultat i hetimeve të para, policia ka bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, i cili është shtetasi me inicialet F. S., rreth 26 vjeç.

Forcat e Policisë vijojnë kontrollet në zonë me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tij.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësisë së personit të dyshuar.