
Më shumë se 500 mijë paund arrinte vlera e “thesareve” që një 42-vjeçar shqiptar u vodhi bosave të Britanisë së Madhe, dhe për këto ngjarje tashmë i është dashur të pranojë 23 akuza.
Asdrit Kapaj, pronar i një dyqani peshku në Britani tashmë do të përballet me disa vite burgim, pasi ka pranuar vjedhjen e stolive.
Ai u quajt “hajduti i Uimbelldon” pasi terrorizoi lagjen e pasanikëve në pjesën jugperëndimore të Londrës.
Babai i martuar dhe me dy fëmijë, i kreu vjedhjet në harkuan e një dekade (2008-2018), duke realizuar 21 të tilla dhe dy vjedhje të tjera në tentativë, me një vlerë totale prej 542,000 paund.
Shqiptari ka dalë sot përpara gjykatës mbretërore, ku është bërë e ditur se në një vjedhje të vetme në shkurt të vitit 2017, ai vodhi stoli me vlerën e 371, 855 paund. Kapaj ka kryer shumicën e bastisjeve të tij gjatë natës, ndërmjet orës 7 të darkës dhe 5 të mëngjesit.
“Mirror” shkruan se tani, ai është duke u përgatitur për një afat të gjatë burgimi dhe do të dënohet më 21 qershor.
Në Gjykatë u tha se shqiptari shkoi në Britani të Madhe pas trazirave në Kosovë, duke u paraqitur si kosovar.
Ai hapi më pas një dyqan peshku në Altringham, në Mançester. Hugh Mullan, avokati mbrojtës, tha se ai kishte shkuar në Britani në moshën 16 vjeçare.
Alexandra Boshell, që ka ndjekur rastin e shqiptarit, tha se Kapaj para se të vidhte, hiqte kamerat e sigurisë ose shkëpuste kabllot, duke përdorur shkallë për të hyrë në ndërtesa.