Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ndodhet sot në Shqipëri për një vizitë zyrtare në kuadër të Forumit të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor 6. Kjo vizitë vjen si pjesë e angazhimeve të larta për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe integrimin europian të rajonit.

Agjenda e saj në Tiranë nisi me një takim me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj. Ky i fundit e priti zyrtaren e lartë europiane në hyrje të Presidencës, ku u zhvillua edhe ceremonia e mirëseardhjes.

Vizita e Von der Leyen pritet të përfshijë një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, si dhe pjesëmarrjen në forumin ku do të diskutohen projektet kryesore të investimeve që BE-ja planifikon të mbështesë në rajon.

AGJENDA
Sakaq, ceremonia zyrtare e mirëseardhjes do të zhvillohet në orën 09:50 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku Presidentja e KE-së do të pritet me nderime shtetërore.

Pas ceremonisë, në orën 10:00, do të mbahet një takim kokë më kokë mes Kryeministrit Rama dhe Presidentes von der Leyen, i cili do të pasohet nga një takim bilateral mes dy delegacioneve respektive.

Vizita do të përmbyllet me një konferencë të përbashkët për shtyp, që do të mbahet në orën 11:15 në ambientet e Kryeministrisë.

Vizita e Presidentes së Komisionit Europian në Tiranë vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe për thellimin e bashkëpunimit mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Po ashtu ajo do të takohet edhe me Presidentin Bajram Begaj, në një takim që pritet të mbahet në orën 9:15 në ambientet e Presidencës.