Në dokument do të përfshihen degët pa interes, afati i plotësimit do të jetë i shkurtër
Shpresa Mezini
Formulari A3 ende “sekret”, ndonëse duhet të ishte publikuar në 15-ditëshin e parë të muajit tetor. Specialistët e Ministrisë së Arsimit sqarojnë se zbardhja e tij do të bëhet këtë javë, çka bie ndesh me afatet e parashikuara në rregulloren e Maturës Shtetërore 2012-2013. Ekspertët theksojnë se një ditë përpara shpalljes së formularit Ministria e Arsimit do të publikojë në sajtin zyrtar udhëzimin që do të saktësojë procedurat teknike të plotësimit të tij, që do të bëhet online. Me shpalljen e listës përfundimtare të fituesve, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, tha se maturantët mbetës do të kenë një tjetër mundësi për t’iu drejtuar universiteteve. Kështu, pas përfundimit të procesit të regjistrimeve për fazën e dytë të fituesve, të rinjtë që nuk e kanë gjetur kodin e identifikimit në asnjë prej listave do të kenë në duar formularin A3, shansi i fundit që do t’u jepet për të qenë studentë në një prej fakulteteve të vendit. Në formularin A3 do të listohen vetëm ato degë të cilat kanë numër të konsiderueshëm të vendeve vakante, për shkak se nuk kanë qenë shumë të kërkuara nga maturantët.
Specialistët e arsimit bëjnë me dije se afati që do të kenë në dispozicion të rinjtë për plotësimin e tij online do të jetë më i shkurtër se ai i formularit të preferencave. Kjo, sipas specialistëve të arsimit, për shkak se maturantët e kanë tashmë idenë e plotësimit elektronik, bazuar në përvojën e parë të formularit A2. Pas plotësimit të këtij dokumenti, që do të përcaktojë të ardhmen e 4100 maturantëve, MASH do të hapë zyrtarisht procesin e regjistrimeve për këtë fazë, e cila do të shoqërohet me një udhëzim të posaçëm.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare që publikon Agjencia Kombëtare e Provimeve, numri i vendeve të lira arrin në 4100 në të gjitha fakultetet e vendit, kuota që do të realizohen pas plotësimit të formularit A3.
“Për të gjithë studentët të cilët nuk janë pjesë e listës përfundimtare të fituesve do të ketë një fazë të dytë me formularin A3. Me publikimin e tij do të zbardhen edhe procedurat e plotësimit, që do të bëhen online, njësoj si formulari i preferencave”, tha Edlira Late, drejtoresha e Arsimit të Lartë Publik e Privat, në Ministrinë e Arsimit.