Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar sërish ndaj qëndrimeve të kryeministrit, duke akuzuar Edi Rama për sulme të vazhdueshme ndaj opozitës.
Në një deklaratë publike, Bardhi u shpreh se retorika e Ramës kundër opozitës nuk ka ndalur, ndërsa e konsideroi këtë një përpjekje për të shmangur vëmendjen nga çështje të rëndësishme politike.
Ai theksoi se, sipas tij, vendimet e mazhorancës kanë ndikuar negativisht në procesin e integrimit europian të vendit. Bardhi deklaroi se nëse Rama nuk do të kishte votuar kundër SPAK dhe në favor të Belinda Balluku, Shqipëria do të kishte nisur tashmë mbylljen e kapitujve të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Reagimi i tij vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme politike mes qeverisë dhe opozitës në vend.
“Rama, opozita dhe kushtet shtesë të BE-së. Pse po vonohen negociatat?
Edi Rama mjaft i gënjeve dhe u talle me shqiptarët! Po të mos ishte vota jote kundër SPAK-ut dhe pro Belinda Ballukut, Shqipëria sot do të kishte nisur mbylljen e kapitujve për negociatat e anëtarësimit. Kjo s’po ndodh, jo për faj të opozitës, por se nuk ua shet dot sapunin për djathë vendeve anëtare të BE-së. Sot jemi në kushtet kur Shqipërisë po i shtohen kushtet në negociatat për anëtarësim, sepse, kryeministri/avokat i Belinda Ballukut dhe kryeministri/ortak i Ergys Agasit ka thyer në mes besimin e partnervëe për sundimin e shtetit të së drejtës dhe barazinë para ligjit. Që çështja “Balluku” ishte një test për Shqipërinë në rrugën e integrimit, nuk e tha opozita në Tiranë. E tha Europa! Dhe sot, jemi me të paktën 4 muaj vonesë me negociatat, jo për faj të opozitës, siç mashtron paturpësisht Edi Rama, por se ai zgjodhi Belindën, pra karrigen e tij, para integrimit europian dhe interesit të shqiptarëve.
Për dy çështje kryesore kanë interes vendet anëtare: 1. Korrupsionin e Belinda Ballukut 2. Skandalin e AKSHI-t. Për të dyja këto, deri tani, janë dërguar 49 pyetje dhe përgjigjet e dhëna nga Komisioni Europian akoma nuk i kanë bindur vendet anëtare që të hapin dritën jeshile. Pse nuk bën transparencë Edi Rama për këtë fazë delikate të procesit të negociatave, por vazhdon me retorikën e zakonshme, të mbushur me urrejtje dhe shpifje ndaj opozitës?
Pse nuk u tregon shqiptarëve se në mbledhjen e fundit të datës 9 Prill, 7 shtete anëtare kanë deklaruar se do të dërgojnë propozime të tjera shtesë për Shqipërinë? Pse nuk u thotë Edi Rama shqiptarëve se 4 shtete anëtare, me shqetësim të shtuar pas votës së tij në mbrojtje të Ballukut, kanë deklaruar se do t’i miratojnë piketat e ndërmjetme, (detyrat që duhen bërë gjatë negociatave), por vetëm me kusht që tek piketat mbyllëse (kriteret finale për të mbyllur një kapitull) të vendosen kushte të përforcuara dhe më të gjera për Shqipërinë?
Besoj që kujtdo i kujtohet qendrimi i Edi Ramës në fushatë se “nuk mund të humbim as edhe një ditë kohë me negociatat, sepse dera e BE-së mund të mbyllet”. Sot, ka vetëm një përgjegjës për vonesën e negociatave: Edi Rama. Sot, ka vetëm 1 të vërtetë për integrimin: Me votën kundër SPAK-ut për rastin “Balluku”, Edi Rama, do t’i kushtojë Shqipërisë jo një ditë e dy, por të paktën 6 muaj vonesë me integrimin!”, shkruan Bardhi.
