Për organizimin e zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027 janë parashikuar 2.5 miliardë lekë, fond që sipas kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, pritet të mbulojë nevojat e procesit zgjedhor.
Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale për projektbuxhetin e vitit 2027, Celibashi deklaroi se KQZ ka dakordësuar me Ministrinë e Financave financimin e zgjedhjeve dhe se nuk parashikon vështirësi në organizimin e tyre.
Projektbuxheti parashikon 454.25 milionë lekë për funksionimin e KQZ-së, ndërsa fondi prej 2.5 miliardë lekësh është parashikuar si kontingjencë e veçantë për zgjedhjet dhe nuk është pjesë e buxhetit institucional.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte votimi dhe numërimi elektronik. Celibashi deklaroi se KQZ ka kapacitete për ta realizuar këtë proces në maksimumi rreth 450 qendra votimi, por zgjerimi i tij mbetet i kushtëzuar nga konsensusi politik.
Sipas Celibashit, Partia Demokratike nuk është dakord me shtrirjen e mëtejshme të votimit elektronik, ndërsa KQZ nuk ka detyrim ligjor për ta zgjeruar atë. Ai theksoi se institucioni nuk mund të angazhojë fonde shtesë nga buxheti i shtetit pa një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës.
Kreu i KQZ-së paralajmëroi gjithashtu se koha për marrjen e një vendimi po mbaron, pasi çdo ditë që kalon e bën më të vështirë teknikisht realizimin e votimit dhe numërimit elektronik, edhe në rast se arrihet konsensusi politik.
Pjesë nga diskutimi në Komision:
Celibashi: Viti i ardhshëm është vit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore. Kemi zgjedhjet e 9 majit 2027. Rëndësia e këtij procesi është kuptuar drejt nga Ministria e Financave.
Në momentin që do të miratohet programi buxhetor për zgjedhjet, aty do të jenë të përfshira edhe kërkesat tona.
Vlera që është vendosur në dispozicion është 2.5 miliardë lekë dhe përfshihet brenda limitit që kemi menduar se do të shkojë financimi i zgjedhjeve të ardhshme.
…Pas miratimit të ligjit për buxhetin, edhe fondet për kontingjencën për procesin zgjedhor do të lëvrohen pas 1 janarit. Nuk besoj se do të kemi probleme.
Erion Mile, relator: Pyetja tjetër ka të bëjë me votimin elektronik për zgjedhjet e vitit 2027.
Çfarë kapacitetesh ka KQZ-ja? Sa mund të ofrojë KQZ-ja, në sa bashki apo qarqe? Dhe nëse do të kemi një vullnet politik, që duket i largët, që të kemi votim dhe numërim elektronik, a krijon nevojën për fonde shtesë?
Celibashi: Ne aktualisht mund të realizojmë votimin dhe numërimin elektronik në rreth 450 qendra votimi, maksimumi. Pastaj se në cilat bashki, mbetet për t’u parë.
Do të donim që kjo mënyrë votimi të zgjerohej më shumë. Kemi bërë një konsultim me përfaqësues të partive politike me përfaqësi parlamentare.
PD-ja, si partia kryesore e opozitës, nuk ka qenë dakord dhe nuk është sot e kësaj dite dakord që të shtrihet më shumë numërimi elektronik.
E për sa kohë KQZ-ja nuk ka një detyrim ligjor për ta aplikuar këtë shtrirje, ne e mbajmë në konsideratë këtë rezervë të partisë kryesore të opozitës parlamentare.
Kjo është një çështje që i takon mazhorancës dhe opozitës që të arrijnë një konsensus.
Ne nuk duam të angazhojmë shpenzime të tjera të buxhetit të shtetit nëse një forcë politike nuk e pranon konsensusin politik dhe s’kemi detyrim ligjor.
Në momentin që s’ka konsensus politik, ne nuk mund ta shtrijmë më tej votimin elektronik.
Çdo ditë që kalon, edhe nëse do të ketë në një moment konsensus politik, nga pikëpamja teknike do të jetë e pamundur të realizohet votimi dhe numërimi elektronik.
