Personat me paaftësi do të votojnë për atë parti që përfshin në programin e saj elektoral kërkesat e tyre. Ky është mesazhi i dhënë indirekt nga kreu i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara, Sinan Tafaj.
“Ne duam miratimin brenda 100 ditëve të para të qeverisjes projektligjin ‘Për përfaqësimin e posaçëm të personave me aftësi të kufizuara’ në variantin e propozuar, që tashmë Parlamenti dhe qeveria e disponojnë. Zhvillimin e një reforme në sistemin e pagesave të aftësisë së kufizuar dhe të pensioneve të invaliditetit, si edhe zgjerimin e gamës dhe cilësisë së shërbimeve për këtë kategori personash”, sqaroi Tafaj.
Duke iu referuar të dhënave, në skemat e përfitimit të pagesave cash janë të regjistruar mbi 120 000 zgjedhës, të cilët ende nuk e gjejnë veten në programin e asnjë partie politike. Madje, përveç tyre, ka edhe grupe të tjera të diskriminuara, siç janë njerëzit që nuk dëgjojnë të cilët nuk konsiderohen si pjesë e kësaj kategorie. Personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri përbëjnë 15% të popullsisë së vendit. Ata aktualisht janë të përjashtuar nga shanset e barabarta, mundësia për edukim, punësim dhe nga përfshirja shoqërore. Kreu i Këshillit Kombëtar të Personave me Paaftësi u bën apel partive politike që të përfshijnë në programet e tyre çështjet që shqetësojnë aktualisht këtë kategori personash.
“Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuara u drejtohet të gjitha partive politike që të marrin në konsideratë shqetësimet e personave me paaftësi, të cilët janë injoruar dhe shkelur me këmbë vazhdimisht, vit pas viti, duke vështirësuar jetesën e tyre”, theksoi Tafaj.
