Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ushtruar të drejtën e tij të votës sot në ambientet e burgut të Fierit, ku ndodhet i paraburgosur. Pas votimit, ai ka dhënë një deklaratë për mediat, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe duke kritikuar vendimin për ndalimin e tij nga fushata elektorale.

“Vota nga kudo është njësoj, qoftë nga burgu, qoftë nga jashtë. Privimi që më është bërë në mënyrë të padrejtë për të më shmangur dhe për të më hequr nga beteja elektorale të jep ndjesinë e një lidhjeje me zinxhir për të penguar aktivitetin politik,” u shpreh Salianji.

Ai e cilësoi momentin e votimit si të veçantë, pavarësisht rrethanave, duke shtuar se ishte votuesi i parë në atë qendër dhe beson në një pjesëmarrje të gjerë në mbështetje të PD dhe numrit 1 në fletën e votimit.

“Thirrja ime është për të dalë masivisht në votime për të bërë të mundur ndryshimin. Mbështes Partinë Demokratike dhe opozitën, kandidatët tanë janë më profesionistë dhe më të përgatitur,” përfundoi ai.