Policia e Durrësit ka ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj dy shtetasve të dyshuar për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në janar 2026 në Shijak, ku një 45-vjeçar humbi jetën pas një konflikti me armë zjarri. Dy të arrestuarit, kushërinj mes tyre, akuzohen për vrasje të kryer në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.
Është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për dy shtetas të dyshuar si autorë të vrasjes së një 45-vjeçari, ngjarje e ndodhur në janar 2026 në Shijak.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë vënë në pranga shtetasit I. F., 38 vjeç, dhe D. F., 36 vjeç, kushërinj dhe banues në Shijak. Masa e sigurisë ishte caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprat penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas hetimeve, dy të dyshuarit ishin shpallur në kërkim pasi më datë 27.01.2026, në qytetin e Shijakut, dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin D. Ç., 45 vjeç, të cilin e kanë qëlluar me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra, 45-vjeçari ka humbur jetën disa ditë më vonë në spital.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.
