Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim autorët e dyshuar të vrasjes së Gramoz dhe Levdrim Kurtajt.

Sipas organit të akuzës, nga hetimet ka rezultuar se Altin Kukaj 50 vjeç, Ervis Kukaj, 22 vjeç dhe Emauris Kukaj 19 vjeç (babai dhe 2 djemtë e tij) në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë kryer vrasjen Gramoz dhe Lavdimir Kurtaj.

Krimi i rëndë ka ndodhur mesditën e 10 shtatorit 2024, rreth orës 14:00 në fshatin Kurjan të Roskovecit.  Sipas Prokurorisë, pak para ngjarjes Ervis Kukaj ka patur një konflikt fizik me djemtë e Gramoz Kurtaj, si dhe ka qëlluar me pistoletë kundrejt tyre dhe viktimës.

Pas sherrit, dy vëllezërit Ervis Kukaj dhe Emauris Kukaj janë takuar dhe ky i fundit i ka treguar ngjarjen. Ata duekt se kanë planifikaur krimin pasi armën e zjarrit që u përdor, Ervis Kukaj e kishte lënë në kasollen përbri pularisë me qëllim që ta merrte Emauris Kukaj.

Ky i fundit, pasi ka marrë armën e zjarrit, ka shkuar në vendin ku ndodheshin viktimat, ka frenuar menjëherë para lokalit të tyre, ka marrë armën dhe ka mbushur karikatorin e saj, duke nxitur babain e tij të qëllonte me breshëri drejt tyre. Altin Kukaj ka shtënë ndaj viktimave Gramoz dhe Lavdimir Kurtaj me armën e zjarrit automatik luftarak, të cilën ia mori nga dora djalit të tij Emauris Kukaj.

Të akuzuar për këtë ngjarje janë edhe 4 persona të tjerë, mes tyre babai i Altin Kukajt, i cili akuzohet se kishte në posedim armë zjarri pa leje. Po ashtu Tomor Zyka, i akuzuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe dy të tjerë të cilët kishin dijeni për ngjarjen por nuk e denoncuan.