Aldo Avdylaj është arrestuar nga policia në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, pas shpalljes në kërkim si organizator i atentatit ndaj Edmir Bregut.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se ky atentat dyshohet të jetë kryer për motive hakmarrjeje dhe lidhet drejtpërdrejt me grupin kriminal të Avdylajve.

Sipas burimeve hetimore, Avdylaj është përfshirë në përgjime ku dëgjohet të thotë: “Unë vras 10 vetë, nëse thua ti”, frazë që tregon strukturën hierarkike dhe mënyrën e funksionimit të grupit kriminal.

Kanë dalë pamjet e momentit kur Avdylaj prangoset nga efektivët; gjatë kontrollit i është gjetur një armë e fshehur poshtë jastëkut. Atentati ndaj Bregut shihet si një hakmarrje pas një përplasje të ashpër mes grupeve kriminale rivale. Më herët, Aldo Avdylaj ka qenë vetë objekt i një plani për eliminim, që dyshohet se është orkestruar nga Edmir Bregu.

Një rol kyç në zbardhjen e ngjarjes ka pasur Enea Kume, i arrestuar me akuzën e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, pasi dyshohet se ka shërbyer si informator, duke dhënë detaje mbi lëvizjet e Bregut dhe duke ndihmuar në organizimin e atentatit.

Ndërkohë, autoritetet dyshojnë se autor i ekzekutimit të Bregut është Alfred Doka, i cili besohet të ketë vepruar kundrejt një pagese.