Një nga anëtarët e bandave të Durrësit kërkon lirinë në Gjykatën e Tiranës. Spartak Kalthi, i dënuar vetëm pak javë më parë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda me 10 vite burg, pasi për llogari të grupit të drejtuar nga Endrit Dokle tentoi të vrasë shtetasin Lulëzim Berisha, kërkon lirimin me kusht.
Kërkesa e tij është bërë nga avokati Erenik Gjoni, pasi pretendohet se ka vuajtur 1/3-n e dënimit përfundimtar. Sipas kërkesës, me nr.1178, që tashmë ndodhet në duart e gjyqtarit Altin Abdiu, i pandehuri Kalthi është dënuar me 10 vite burg për akuzën e “vrasjes”. Për këtë krim, ai është arrestuar në mars të 2006 nga Policia dhe ka qëndruar në qeli plot 6 vite në paraburgim. Sipas përllogaritjes, 6 vitet e qëndrimit në paraburgim konvertohen me 9 vite burg, çka, sipas avokatit, ka plotësuar 1/3-n e dënimit dhe duhet të lirohet me kusht.