Historia e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila, e cila humbi jetën në Piacenza të Italisë, ka rihapur debatin mbi normalizimin e dhunës gjinore dhe femicidit në shoqërinë italiane.
Aurora, nxënëse në Shkollën e Mesme “Colombini”, ndërroi jetë pasi ra nga ballkoni i një pallati shtatëkatësh, pas një periudhe të dokumentuar përndjekjeje dhe dhune psikologjike nga ish-i dashuri i saj, që në atë kohë ishte 15 vjeç. Pas një procesi të përshpejtuar gjyqësor, ai u dënua me 17 vite burg për vrasje të rënduar dhe përndjekje.
Nëna e saj, Morena Corbellini, ka kthyer dhimbjen personale në një mision publik. Ajo ka themeluar shoqatën “La Luce di Aurora”, e cila synon ndërgjegjësimin dhe parandalimin e dhunës ndaj grave, me fokus të veçantë në shkolla dhe komunitete rinore.
Në një intervistë për gazetën “La Stampa”, Corbellini deklaroi se rastet e femicideve tregojnë një problem të thellë kulturor, ku dhuna ndaj grave po perceptohet gjithnjë e më shumë si diçka “normale”. Sipas saj, ky fenomen nuk kufizohet vetëm te burrat e rritur, por po shfaqet edhe mes të rinjve.
Ajo kritikoi legjislacionin italian, duke theksuar se dënimet për të miturit janë ende shumë të buta dhe nuk shërbejnë si frenues real ndaj dhunës. “Nëse një i ri e normalizon vrasjen, ekziston rreziku që ta përsërisë atë. Shoqëria dhe institucionet duhet të veprojnë më shpejt dhe më vendosmërisht”, tha Corbellini.
Edhe më herët, në një intervistë për Top Channel, nëna e Aurorës e kishte cilësuar dënimin e autorit si të pamjaftueshëm, duke kërkuar ndryshime më të forta ligjore për mbrojtjen e vajzave dhe grave.
