Një i burgosur shqiptar në Britani, i dënuar me 32 vite heqje lirie për vrasje, ka shpërndarë një video në TikTok drejtpërdrejt nga qelia e tij, duke u lutur që të transferohet në Shqipëri për të parë familjen dhe për t’i shpëtuar, siç thotë ai, “ushqimit të tmerrshëm” të burgut.

Bëhet fjalë për Eugert Merizajn, 32 vjeç, i cili në maj të vitit 2022 u dënua për përfshirjen në vrasjen e trafikantit rival të drogës, Hemawand Ali Hussein. Ai ka qenë aktiv në rrjetet sociale edhe pas dënimit, duke postuar vazhdimisht video nga qelia, ndonëse përdorimi i telefonave celularë në burg është i ndaluar.

Në videon e fundit, Merizaj shprehet se autoritetet britanike po e pengojnë të transferohet në Shqipëri për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit. “Kam bërë të gjitha aplikimet, por duket se ne që kemi dënime të gjata nuk po lëvizim fare,” thotë ai.

Që prej majit 2023 është në fuqi marrëveshja për transferimin e të burgosurve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, e cila synon të ulë kostot për taksapaguesit britanikë. Çdo shtetas shqiptar i dënuar me mbi katër vite burg mund të transferohet për të vuajtur dënimin në atdhe. Megjithatë, deri tani vetëm 10 shqiptarë janë transferuar, sipas një burimi të Shërbimit të Burgjeve të Shqipërisë.

Ndërkohë, sipas një skeme tjetër për largimin e hershëm, të dënuarit e huaj mund të deportohen pasi të kenë vuajtur 50% të dënimit në Britani. Kjo përqindje pritet të ulet në 30% duke filluar nga shtatori. Në këtë rast, të dënuarit lirohen menjëherë sapo mbërrijnë në vendin e origjinës, pa qenë të detyruar të vuajnë pjesën e mbetur të dënimit.

Merizaj ka shpjeguar arsyet pse kërkon të kthehet në Shqipëri: “Ndoshta nuk do të kem telefon në burg atje, por e di që mund ta siguroj. Nuk e kam parë familjen time prej shtatë vitesh. Flas çdo ditë me ta, por nuk i kam takuar fizikisht. Ushqimi këtu është i tmerrshëm. Arsyeja kryesore që dua të kthehem është për të parë familjen.”

Sipas raportimeve të “Daily Mail”, përmbajtja që ai poston në rrjetet sociale tregon se Merizaj po bën një jetë relativisht të rehatshme brenda qelisë. Ai është filmuar duke luajtur lojëra online për të fituar para, duke marrë pjesë në “live matches” në TikTok dhe duke shfaqur televizor, altoparlant, libra në shqip e madje edhe atlete të markës “Dolce & Gabbana” me vlerë 550 paund

Merizaj ishte pjesë e një grupi shqiptar që mashtroi trafikantin e kanabisit, Hemawand Ali Hussein, duke e tërhequr në një shtëpi në Hartlepool në vitin 2019, ku më pas u qëllua me armë gjahu. Ai u arrestua në Belgjikë dhe më pas u ekstradua në Britani.

Gjatë gjykimit, gjykatësi pranoi se Merizaj nuk e qëlloi personalisht viktimën, por ishte i përfshirë ngushtë në planifikim dhe kishte blerë armë për grupin. Tre anëtarë të tjerë të bandës shqiptare u dënuan për vrasje pa paramendim.

Një zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë në Britani tha për “Daily Mail”:
“Shumica e deportimeve ndodhin përmes Skemës së Largimit të Hershëm dhe jo përmes marrëveshjeve të transferimit. Që nga marrja e detyrës, qeveria ka deportuar 4,532 kriminelë të huaj, një rritje prej 14% krahasuar me vitin e kaluar.”

Ndërkohë, Ministria e Brendshme britanike nuk pranoi të komentojë mbi rastin, ndërsa TikTok është kontaktuar nga gazeta për një reagim.

Aktualisht, shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të të burgosurve të huaj në burgjet e Anglisë dhe Uellsit, me 1,099 të dënuar të regjistruar vitin e kaluar.