Atentat në Mamurras, vdes Endri Llani, plagoset i ungji. Autorët, dy vëllezër


Makina ku ndodhi vrasja ne MamurrasNjë atentat për larje hesapesh mes të rriturve i ka marrë jetën një fëmije 9 vjeç dje në Mamurras. Endri Llani, 9 vjeç, ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga plumbat që ishin nisur për të ungjin 22 vjeç.


Drejtori i Policisë së Lezhës tha se ishte lokalizuar vendndodhja e dy atentatorëve


Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00 në një kthesë në rrugën që të çon nga Mamurrasi në fshatin Adriatik. Fëmija 9 vjeç ndodhej në ndenjësen e parë të një veture “Volkswagen Passat”, të cilën e drejtonte xhaxhai i tij, Muharrem Llani, 22 vjeç. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, në makinë ndodhej edhe bashkëshortja e Muharrem Llanit. Në momentin kur makina ka hyrë në një kthesë, dy persona kanë hapur zjarr me armë automatike nga krahu i shoferit.


Atentati – Vëllezërit Altin dhe Emanuel Shkreta kishin zënë pritë në një kthesë të rrugës së fshatit Adriatik dhe kanë hapur zjarr sapo kanë parë makinën që drejtohej nga Muharrem Llani


Viktimat – Endri Llani, 9 vjeç, i cili udhëtonte si pasagjer në veturën e drejtuar nga i ungji, ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga plumbat e marrë. Muharrem Llani është plagosur rëndë


Motivet – Të hënën në mbrëmje, Jetmir Llani, babai i fëmijës së vrarë dje, kishte pasur një konflikt me vëllezërit Altin dhe Emanuel Shkreta, të cilët i kishte kanosur me pistoletë


Disa plumba kanë prekur shënjestrën e këtij atentati, Muharrem Llanin, i cili është plagosur rëndë, por të shtënat kanë rezultuar fatale për fëmijën që ndodhej në ndenjësen e parë, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme.


Sipas dëshmive, shoferi i plagosur ka vazhduar të ngasë makinën edhe për gati një kilometër, për të shpëtuar gruan që ndodhej në makinë.


Kur banorë të zonës dhe Policia e Kurbinit kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të ndihmuar personat e rënë në pritë, fëmija kishte ndërruar jetë. Xhaxhai i tij, Muharremi, është dërguar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku mjekët thanë se ndodhej në gjendje të rëndë.


Pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe krerët e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Lezhës, të cilët kanë kërkuar mbështetjen e forcave speciale për kapjen e autorëve të atentatit.


Identifikimi i atentatorëve është bërë shpejt, pasi ata kishin dalë pa maska në pritë. Drejtoria e Policisë së Lezhës konfirmoi se si autorë të dyshuar të vrasjes së fëmijës 9 vjeç dhe plagosjes së xhaxhait të tij janë vëllezërit Altin dhe Emanuel Shkreta, banorë të Fushë-Mamurrasit. Menjëherë pas identifikimit të autorëve, policia ka shoqëruar disa anëtarë të familjes Shkreta, ndërkohë që është organizuar një operacion i gjerë për kapjen e tyre. Drejtori i Policisë së Lezhës, Muharrem Furriku, tha dje në mbrëmje se ishte lokalizuar vendndodhja e dy vëllezërve të dyshuar. “Jemi në operacion me RENEA-n dhe FNSH-në. Kemi lokalizuar vendndodhjen, por nuk i kemi kapur ende”, deklaroi Furriku pesë orë pas ngjarjes së rëndë.


Ndërkohë, burime nga grupi hetimor, i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, bënë të ditur se atentati ka ardhur si pasojë e një sherri të ndodhur të hënën në mbrëmje në qytezën e Mamurrasit ku janë përfshirë anëtarë të familjeve Shkreta dhe Llani. Sipas këtyre burimeve, të hënën në mbrëmje, dy personat e dyshuar për atentatin e sotëm janë grindur për motive të dobëta me Jetmir Llanin, babanë e fëmijës së vrarë dje. Mësohet se gjatë këtij sherri, Jetmir Llani ka nxjerrë edhe pistoletën dhe ka kërcënuar vëllezërit Shkreta.


Sherri mësohet se është mbyllur pa ndërhyrjen e policisë, por vetëm përkohësisht. Altin dhe Emanuel Shkreta kanë zënë pusi dje në mesditë në rrugën nga duhet të kalonin anëtarët e familjes Llani dhe kanë hapur zjarr mbi makinën e tyre.


Burime nga grupi hetimor i treguan gazetës se djemtë e familjeve të përfshira në konflikt njiheshin si problematikë. Burimet thanë se Jetmir Llani, babai i fëmijës së vrarë dje, ishte person me precedentë penalë. Ai ishte shpallur fajtor për një aksident me vdekje të ndodhur në vitin 2010 në Tiranë, por nuk ishte burgosur për këtë.


K.Velaj