Ballsh 


Gjykata e Fierit ka dënuar me dy vjet burgim vëllain e vrasësit të 13-vjeçarit Xhevit Lamaj nga Ballshi i Mallakastrës, i cili u qëllua me thikë nga bashkëmoshatari nga Usoja, Y.Kamaj. Pasi ka dëgjuar konkluzionet përfundimtare si të prokurorisë, ashtu edhe të palës mbrojtëse të të pandehurit 21-vjeçar Edison Kamaj, trupa gjykuese ka vendosur dënimin me 2 vjet heqje lirie për veprën penale të “veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Ndërkaq, i pandehuri do të kryejë dënimin me një vit e katër muaj burgim, pasi përfiton ulje për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar. Pala mbrojtëse ka kërkuar një dënim më të lehtë dhe lirimin e të pandehurit me kohën e paraburgimit. Gjithashtu, mbrojtja e Kamajt ka pohuar se klienti i saj ka shprehur pendesë për veprimet e kryera në ditët pak pas ngjarjes. Kjo, pasi 21-vjeçari Kamaj nuk bashkëpunoi fillimisht me hetuesit për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


Xhevit Lamaj u qëllua me thikë në zemër nga një bashkëmoshatar i tij në muajin korrik të vitit të kaluar. Dy 13-vjeçarët ishin konfliktuar dy javë para ngjarjes me njëri-tjetrin. Në momentin kur Y.Kamaj ka qëlluar me thikë viktimën, aty ka qenë i pranishëm edhe vëllai i tij, 21-vjeçari Edison Kamaj dhe fillimisht pati paqartësi në identitetin e autorësisë së vrasjes. Ndërkaq, nuk është ngritur akuzë për 13-vjeçarin Y.Kamaj, pasi Kodi Penal nuk e parashikon procedimin për këtë moshë.


E.H.