Të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në qendër të Tiranës, ku një i mitur 14-vjeçar humbi jetën pasi u godit me thikë në zemër dhe një bashkëmoshatar i tij ndodhet në spital.

Ngjarja kriminale ka ndodhur brenda 90 sekondave, ndërsa dy të miturit janë sulmuar nga 3 persona, bashkëmoshatarë të tyre.

Dy 14-vjeçarëve, njëri që humbi jetën dhe tjetri që u plagos, nuk janë nxënës të shkollës “Fan Noli”, teksa 3 autorët e dyshuar mësojnë në këtë institucion arsimor. Këta të fundit dyshohet se kanë qenë bashkë dhe kanë qëlluar viktimën dhe shokun e tij rreth 200-300 metra larg shkollës.

Policia ka njoftuar se njëri prej autorëve të dyshuar është shoqëruar nga policia.

Njoftimi i policisë:

Më datë 18.11.2024, rreth orës 13:10, në rrugën “Qemal Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli” janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç.

Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit.